Megjithë dështimet jo të pakta të dikastereve tashmë të adresuara, siç janë realizimi i dështuar i investimeve kapitale në vitin 2022, ndër më i ulëti në vitet e fundit, ngecjes së paparë të përfundimit të rrugëve tepër të rëndësishme të Kosovës, rindërtimi i të cilave ka nisur dekada më parë, ngritjes dy herë të çmimit të energjisë elektrike brenda 13 muajsh, dhe përkeqësimit evident të gjendjes sociale dhe mirëqenies së kosovarëve shumicë, Kurti vazhdoi t’i mbajë në pozita ministrat e pa-efektshëm, pa rezultate të shënuara dhe të tillët që praktikisht nuk përmbushën asnjë premtim dhe zotim të bërë kur u ulën në karrigën ministrore.
Mehmet GJATA
Sado që në njëfarë mënyre, disa herë është paralajmëruar freskimi i kabinetit aktual qeveritar Kurti 2 me disa ministra të rinj, më operativ, më energjik, më të efektshëm dhe me më shumë rendimet të punës ministrore, Qeveria Kurti 2 nuk e bëri reformatizimin e kabinetit qeveritar. Vazhdoi ‘ta shtyjë’ me të gjithë minsitrat që u emëruan që në fillim të kësaj qeverie, më 24 shkurt 2021 (hiq ministrin e Shëndetësisë, që e la postin ministror për shkak të kandidimit për kryetar të komunës së Prishtinës, dhe dorëheqjes së ministrit tjetër që e pasoi të parin), pavarësisht se shumë prej tyre brenda këtyre dy vjetëve, nuk treguan, praktikisht, asgjë, dhe dëshmuan se janë shumë larg përmbushjes së misionit ministror dhe pritjeve të kryeministrit Kurti.
Me fjalë të tjera, që në janar të 2022-tës, madje edhe nga zyrtarë të ndryshëm, flitej se kishte nisur të bëhet një vlerësim i performancës së akcilit ministër të kësaj Qeverie, e cila punë siç thuhej, do të përmbyllej deri më 18 janar. Vlerësimet e performancës nënkuptojnë pra, “qitjen në peshore” të aftësive profesioniste dhe shkathtësive menaxheriale e ministrore të secilit ministër të Qeverisë Kurti 2, përkatësisht efektet e punës gati një vjeçare të tyre, rezultatet dhe dështimet eventuale të ministrave të qeverisë Kurti 2. Dhe, kjo “matje”, ose ky vlerësim do t’i shërbejë, sipas burimeve të medieve kosovare, kryeministrit Kurti, që në rast të ndërrimit eventual të përbërjes aktuale të Qeverisë, të vendosë për ndërrimin apo mbetjen edhe më tutje në postin e ministrit të secilit anëtar qeverie.
Ndërsa, në publikun e politizuar jo pak kosovar, pritej me padurim dhe kurreshtje të shpërfaqur të shihet konkretisht se cili ministër i Qeverisë Kurti 2, që kur VV-ja fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, përmbushi dhe realizoi detyrimet, parashikimet qeveritare dhe vetjake dhe cili dështoi në realizimin e pritshmërive të tij, vizioneve dhe premtimeve me rastin e marrjes së detyrës në krye të dikasterit përkatës.
Në janar të 2022-tës u fol dhe u transmetua në medie se “ka gjasë që fare shpejtë, ose brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të ketë ndërrime të ministrave në Qeverinë aktuale. Mirëpo, pas gjithë kësaj “tymnaje’ nuk ndodhi asgjë. Më pastaj në ditën e fundit të gushtit të 2022-tës (më saktësisht më 31 gusht 2022) në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri fjalë për fjalë tha për vartësit e tij, se “asnjë nuk është i paprekshëm”, ndërsa në publik dhe në qarqe zyrtare u vlerësua si paralajmërim i ri për mundësi të ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
“Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj”, tha kryeministri Albin Kurti me këtë rast para Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për vartësit e tij.
“Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar”, tha ai.
Por, me këtë rast, Kurti foli edhe për “egoizma e karrierizma”, të cilat deri në atë moment kur u dëgjuan nga goja e kryeministrit Kurti, mendohej se “tymnaja” rreth përmbushjes së prtitshmërive të disa ministrave, mbështeteshin vetëm në spekulime.
“Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës”, tha Kurti.
Disa medie raportuan se “tashmë po punohet në një raport në Zyrën e Kryeministrit, ku po vlerësohen ministrat veç e veç”, por asnjëherë nuk është thënë diçka zyrtare rreth mundësisë së reformatimit të Qeverisë edhe pse fjalët e Kurtit para këshillit të LVV-së ishin sikur mund të ketë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Dhe, edhe me këtë rast, njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe analistët e shumtë kosovarë, me vlerësimet e tyre pas fjalëve të kryeministrit, praktikisht u ndanë në dy taborre. Disa nga këta vlerësonin se “këtë kërcënim kryeministri është dashur ta bëjë më herët”, dhe e shihnin si “kërcënim të kryeministrit ndaj ministrave të tij”, duke shtuar se ministrat e Listës Guxo, pavarësisht performancës së tyre, nuk mund t’i prekë. Ndërsa, të tjerët, vlerësonin se nuk do të ketë shkarkime pasi Kurti nuk ka me kë t’i zëvendësojë ministrat aktualë.
Ndërkohë, Kurti, duke thënë publikisht se “asnjëri nuk është i paprekshëm”, ka lënë mundësi për pretendimin e ndërrimit të ministrave.
“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, kishte thënë Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të LVV-së.
Megjithatë, me gjithë dështimet jo të pakta të dikastereve tashmë të adresuara, siç janë realizimi i dështuar i investimeve kapitale në vitin 2022, ndër më i ulëti në vitet e fundit (sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të 2022-tës, ishin 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal 19 për qind), inflacionit të rritur mbi dy shifror, ngecjes së paparë të përfundimit të rrugëve tepër të rëndësishme të Kosovës, rindërtimi i të cilave ka nisur dekada më parë, përkeqësimit evident të gjendjes sociale dhe mirëqenies së kosovarëve shumicë, Kurti vazhdoi t’i mbajë ministrat e pa efektshëm, pa rezultate të shënuara dhe të tillët që praktikisht nuk përmbushën asnjë premtim dhe zotim kur u ulën në karrigën ministrore.
Kryeministri Kurti nuk ka liruar ndonjë ministër nga detyra, përveç Arben Vitisë, që dha dorëheqje kur garoi për kryetar të Prishtinës dhe kur u rikthye në ministri për të zëvëndësuar ministrin e dështuar, që Kurti e solli nga Amerika si provë për ta “shkundur’ apatinë në ministrinë e Shëndetsisë. Ndërkohë, disa ministra tashmë të ditur edhe në publik që nuk kanë arritur asnjë rezultat të vetëm, vazhdojnë të qeverisin si pashallarë në pashallëqet e tyre, ose duke fajësuar për ngecje dhe në raste edhe prapakëthime në realizimin e synimeve, vizioneve dhe planifikimeve të tyre, qeveritë e kaluara, krizat botërore financiare dhe energjetike, ngritjen enorme të çmimeve etj.
Ministrat e dështuar, që Kurti, e di fortë mirë se cilët janë ata, sikundër që tashmë po e dijnë edhe opinioni i Kosovës dhe të cilëve kosovarët u besuan aq shumë, tani po ua kthejnë këtë besim, praktikisht, me mbylljen hermetike karshi këtyre njerëzve që kanë shpresuar dhe vazhdojnë të shpresojnë akoma tek ndryshimi i dëshirueshëm dhe i pritshëm, por edhe që kërkojnë informacione për zhvillimet në ministritë që kanë “huqur” objektivat.
Gjatë këtyre dy vjetëve e dy muajve prej kur Kurti 2 qeverisë me vendin, u treguan dhe u dëshmuan skajshmërisht dhe pafundësisht të mbylluara, madje hermetike deri në pakuptimësi Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (asnjëherë nuk morëm përgjigje për shkaqet e prolongimit të afateve dhe tejkalimeve të kostos së ndërtimit të rrugëve nacionale të nisura shumë vite më parë të rindërtohen Prishtinë- Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë autostradën Prishtinë-Gjilan), Ministria e Ekonomisë, e cila thuaja se ngarendi që brenda 13 muajsh ta ngritë dy herë çmimin e energjisë elektrike për kosovarët e varfër, Ministria e Rozeta Hajdarit, ajo e Financave etj.
Ministritë e akceptuara më lartë, e sidomos Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, ose siç është më e njohur në publik, Ministria e Infrastrukturës, qëkur ka nisur qeverisjen qeveria Kurti 2 (22 mars 2021), praktikisht ka qenë e plogësht fare, e përgjumur dhe thuaja inekzistente. Në tërë këtë periudhë, kjo ministri, por edhe krerët e saj, praktikisht, asnjë rrugë nuk e kanë nisur, as nuk e kanë përfunduar nga ato të nisurat më herët nga qeveritë e kaluara dhe nuk kanë nisur, as nuk e kanë përmbyllur asnjë projekt tjetër të infrastrukturës me rëndësi për vendin.
Nuk ka ndonjë rezultat të arritur as në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, atë të Ekonomisë, të Financave.
Mirëqenia dhe gjendja sociale e kosovarëve shumicë është katandisur dhe po vazhdon të degradohet ndjeshëm për çdo ditë ndërsa rreth 300 mijë pensionistët e këtij vendi tashmë nuk kanë mundësi as barnat e reduktuara t’i blejnë me pensionet e tyre. Ndërsa, Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, me ministritë e saj më konkretisht, nuk e kanë asnjë arsye të vetme për të qenë të mbyllura, të izoluara nga komunikimi me publikun, madje hermetikisht, sikur të ishin ndonjë agjenci zbulimi, apo edhe më shumë, ndonjë institucion misterioz, tërësisht tabu për publikun. Nuk kanë pra, arsye të fshehen nga publiku, ta mbulojnë dhe ta heshtin të vërtetën, qoftë e hidhur, qoftë e gëzueshme dhe ngazëllyese, që i bie se nuk kanë asnjë arsye ta injorojnë publikun, i cili para afro më shumë se dy vjetëve u besoi shumë njerëzve të kësaj Qeverie dhe atyre që përbëjnë ministritë.
Mbase e kanë kuptuar më në fund se nuk “pi ujë’ pafundësisht përpjekja për të fajësuar të tjerët, si ministritë pararendëse për dështimet evidente të përmbushjes së premtimeve dhe zotimeve, dhe shkurt, nuk kanë çka të thonë.
Dhe, sado që kryeministri thotë se “nuk mjafton të themi që punojnë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren, të takohen me sektorët dhe me qytetarët që i prek fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjidhin problemet konkrete që janë brenda mundësive të qeverisë, duhet të vijnë me projekte e ide të reja zhvillimore, gjithnjë brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre”, ministrat e tij vazhdojnë të vendnumërojnë, të mos shënojnë rezultate dhe të mosrealizojnë premtimet.
Prandaj, Kurti, tani pas dy vjetëve e më shumë se dy muajve, duhet më në fund të mendojë shumë më seriozisht për reformim të Qeverisë, për rifreskim të saj për të kërkuar dhe për të arritur rezultate. Këtë duhet ta bëjë sa më shpejtë. Zëvendësimi i ministrave pa rezultate dhe pa rendimente, po vonohet. Kudo ndër qeveritë e Botës, ndërrohen ministrat që dështojnë në përformancën e tyre ministrore, madje pa humbur kohë. /Buletini Ekonomik/