Qeveria e ka shkarkuar kryesuesin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Trainkos, Nol Dedajn, të cilin e kishte emëruar vetë më 10 gusht 2022. Ai kishte mbetur anëtar i vetëm i bordit, pasi të gjithë drejtorët kanë dhënë dorëheqje, u tha në mbledhjen e Qeverisë. Ekzekutivi e ka emëruar një bord të ri, të përkohshëm, raporton Gazeta Express.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se “neni 19.3 i ligjit për ndërmarrjet publike i kërkon Qeverisë të shkarkojë anëtarët e bordit të drejtorëve për të cilët ka arsye për të besuar se i kanë shkelur detyrat” që të punojnë me ndershmëri, besnikësi dhe në interes të ndërmarrjes.
“Bordi është vonuar për t’i kërkuar përgjegjësi menaxhmentit për rënien e vazhdueshme të performancës dhe shkeljet e evidentuara të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2016-2021 dhe nuk ka marrë masa për uljen e shpenzimeve në raport me të hyrat e ndërmarrjes”, tha ajo.
Rizvanolli tregoi se “tre anëtarë të bordit kanë dhënë dorëheqje, duke e njoftuar aksionarin se e kanë të pamundshme t’i përmbushin detyrat”
“Dy anëtarë të tjerë kishin dhënë dorëheqje më herët për shkaqe personale. Kështu, kryesuesi ka ngelur i vetmi anëtar i bodit. Këto rrethana japin arsye për të besuar se kryesuesi i bordit ka shkelur detyrat fiduciare dhe nuk ka përmbushur përgjegjësitë e parapara me kodin e etikës dhe qeverisjes korporative. Rrjedhimisht, propozoj shkarkimin e bordit, përkatësisht kryesuesit si anëtar i vetëm i mbetur, z. Nol Dedaj”, tha ajo.
Tutje, Rizvanolli propozoi emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve, të cilët tha se do të shërbejnë jo më gjatë se gjashtë muaj.
Bordi i ri i përkohshëm do ta ketë këtë përbërje: Rizah Spanca, kryesues; Astrit Mehaj, anëtar; Hasan Preteni, anëtar dhe Shaban Neziri, anëtar.