Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama komunikoi sot pas mbledhjes së qeverisë se qeveria ka rënë dakord për projektligjin për reformën e re të pagave ku planifikohet rritjen e pagës mesatare në harkun e një viti nga 563 euro që është sot në 900 euro.
Në një prononcim për medie, Rama informoi mbi reformën e re të pagave, ndërsa shtoi se “ky është rezultat i përgjithshëm i përpjekjeve, reformave, punëve të bëra”.
“Kjo për të ardhur në ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ku familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë se sa në çdo gjë tjetër, në arkën e buxheteve të tyre”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “është shumë e rëndësishme për ne të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe se realisht kemi hyrë në një fazë të re zhvillimi, pavarësisht peripecive dhe goditjeve të jashtëzakonshme në vazhdën e disa krizave rresht, ia kemi dalë të rezistojmë dhe adresojmë plagë e probleme të rënda”.
“Vazhdojmë sot të mbështesim të gjitha familjet e e bizneset e vogla që të mos shohin asnjë qindarkë rritje të çmimit të energjisë në faturën e tyre. Sot u themi të gjithëve se është dita për të marrë ata vetë direkt jo thjesht komuniteti, bashkia, vendi, shkolla, kopshtet, çerdhe, spitale, qendra shëndetësore, por ata vetë drejtpërdrejtë në arkën e tyre familjare frute nga kjo përpjekje dhe nga reformat që na kanë sjellë deri këtu”, tha Rama.
Më tej Rama informoi se nga reforma e pagave, specialistit më të ulët të administratës publike, paga do t’i rritet nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë [710 euro].
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Rama u shpreh se te kjo përllogaritje nuk hyn vjetërsia e punës dhe nivelet e kualifikimeve e kjo bën që gjërat të jenë edhe më mirë se sa duken në nivelin bazë.
Kryeministri theksoi se “detyra jonë është t’u japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave”.
“Kemi pasur diskutime e debate të pafundme, kemi konfrontuar volume të pafundme shifrash, opsionesh, skemash dhe në fund kemi rënë të gjithë dakord që detyra jonë është t’u japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave”, tha Rama. /Telegrafi/