Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, tha se shumë biznese prodhuese në vend kanë qenë të detyruara që të blejnë pajisje të automatizuara, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore.
Rafuna ka përmendur shembullin që një kompani e prodhimit të karrigeve ka blerë 3 robotë për t’i zëvendësuar katër punëtorë që kishte.
“Shumica e bizneseve për shkak të fuqisë punëtore, janë detyruar të riorganizohen. Kur them riorganizim e kam fjalën se kanë qenë të detyruar të blejnë pajisje të cilat janë të automatizuara, që të mos varen shumë nga fuqia punëtore”, deklaroi Rafuna.
Sipas tij kjo ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së cilësisë së prodhimit.
“Kjo ka ardhur edhe si rezultat e ngritjes së cilësisë së prodhimit, ngritjes së standardit, por ka ardhur më shumë si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore. E vizitova një prodhues tonin të karrigeve. Ai më tregoi se ka pasur katër punëtorë fizikë që kanë ngjyrosur në mënyre mekanike ndërsa tani ka sjellë tre robotë që e bëjnë ngjyrosjen e karrigeve”, tha Rafuna.
Ai theksoi se bizneset po riorganizohen.
“Domethënës ai më nuk është i varur prej fuqisë punëtore fizike se atë punë ia kryejnë robotët. Kështu që kjo i ka shtyrë bizneset që të riorganizohen dhe sa më lehtë ta kalojnë mungesën e fuqisë punëtore”, deklaroi Rafuna.
Ai shtrenjtimin e energjisë elektrike e ka parë si sfidën kryesore me të cilën po përballen bizneset, bashkë me mungesën e fuqisë punëtore.
“Frika ka qenë gjatë periudhës së dimrit se a do të ketë energji elektrike dhe se a do të rritet çmimi. Askush nuk e ka pritur që në pranverë, kur pritet ngritja e temperaturave dhe rënia e konsumit, të rritet çmimi i energjisë elektrike. Sfida e dyta për prodhuesin është mungesa e fuqisë punëtore, e kualifikuar dhe e pakualifikuar. Sfida e tretë, duhet më shumë subvencionime nga ana e Qeverisë”, tha Rafuna.
Ai theksoi se bizneset se rritja e çmimit të energjisë elektrike reflektohet në koston prodhimit e edhe në rritjen e të gjitha çmimeve në treg.
“Rritjen e çmimit të energjisë elektrike, bizneset e kanë pritur me shumë shqetësim. Si një kosto shtesë, kjo në fund i faturohet qytetarit përmes produktit final. Do të shohim se a do të ketë ndonjë ndihmë prej Qeverisë, së paku ta mbulojë këtë dallimin e energjisë elektrike. Kur ju ndihmon bizneseve, ju ndihmon edhe qytetarëve”, deklaroi Rafuna. /EO/