Sot me 28 prill, Republika e Kosovës shënon Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, në një gjendje mjaft të rëndë të të punësuarëve, në kuptim të realizimit të të drejtave nga marrëdhënia e tyre e punës. Shqetësues mbetet fakti i numrit të madh të aksidenteve në vendet e punës, qofshin ato që përfundojnë me lëndime të rënda, apo ato me fatalitet. Sipas të dhënave zyrtare nga Inspektoriati i Punës, 15 të punësuar kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës vetëm në vitin 2022. Fatkeqësisht, kjo çështje shihet vetëm si statistikë, dhe atë statistikë jokorrekte, sepse është evidente që kemi diskrepancë të thellë në mes statistikave të institucioneve të ndryshme, lidhur me numrin e aksidenteve në vendin e punës që përfundojnë me humbje jete. Përkundër premtimeve dhe paraqitjeve publike të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, që do t’i marrin me prioritet të drejtat e punëtorëve, fatkeqësia e humbjeve të jetës të të punësuarëve po rritet çdo vit.
Paralelisht me situatën jo të mirë të sigurisë në punë, njejt qëndron dhe fusha e shëndetit në punë. Ajo vazhdon të mbetet e parregulluar juridikisht dhe e pazbatuar praktikisht. Ligji Nr. 04/L-125 për Shëndetësi thekson dhe trajton mjekësinë e punës vetëm sipërfaqësisht, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ende të themeloj dhe funksionalizoj ndonjë institut të mjekësisë së punës i cili do të merrej njëmendësisht me studime dhe hulumtime të sëmundjeve profesionale që lidhen me punën, por vetëm të tilla që më shumë konsiderohen si institucione të zakonshme shëndetësore që diagnostifikojnë dhe ofrojnë shërbime shëndetësore. Madje, Ministria e Shëndetësisë nuk ka aritur ende ta hartojë dhe fuqizojë listen e sëmundjeve profesionale, ndërkohë që këtë e kanë bërë vendet e rajonit dhe punëtorët gjithnjë e më shumë largohen në vende me kushte më të mira të punës. Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional vërehet edhe në kuptim të regjistrimit dhe analizimit të të dhënave që lidhen me aksidentet në punë, apo edhe sëmundjet profesionale dhe që lidhen me punën.
Kemi një zbrazëti të rregullimit të politikave në këtë fushë, të mosidentifikimit të sëmundjeve profesionale, si dhe mungesë të databazës për regjistrimin e rasteve të aksidenteve në punës. Andaj, kërkojmë të iniciohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësinë duke i dhënë një vëmendje të veçantë shëndetit në punë. Rrjedhimisht, me ligj të themelohen institutet e mjekësisë së punës, duke ju përcaktuar qartë detyrat e punës dhe mandatin. Këto institute, ndër të tjera duhet të kenë për mandat themelor hulumtimin e studimin e sëmundjeve profesionale që lidhen me punën, si dhe të ofrojnë shërbime të mjekësisë së punës në nivel të Republikës së Kosovës dhe të mos marrin rol vetëm diagnostifikues sikur të ishin qendra diagnostifikuese. Për më tepër është shumë e nevojshme të artikulohet dhe fuqizohet lista e sëmundjeve profesionale, si dhe të krijohet një bazë e të dhënave, ku do të regjistroheshin të gjitha rastet e sëmundjeve profesionale në Republikën e Kosovës.
Përderisa nuk ekzistojnë hapa konkret për përmirësimin e situatës në fushën e shëndetit në vendin e punës dhe në aspektin e mirëqenies, punëtorët janë ata të cilët po pësojnë më së shumti, rrjedhimisht po largohen nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të punës.
Pjesë përbërse e këtij reagimi janë:
Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe
Federata e Sindikatës së Pavarur për Komunikacion dhe Lidhje të Kosovës (SPKLK),
Kosova – Women 4 Women Gratë për Gratë e Kosovës (KW4W),
Grupi Avokues i Kosovës (KAG),
Nevo Koncepti (NVK),
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHT),
OJQ EDUCO,
OJQ Green Energy Kosova,
OJQ Iniciativa për Zhvillim Lokal (IZHL),
OJQ Instituti për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Rinisë (ISDY),
Kosova Women’s Network (KWN),
Shoqëria për Zhvillimin e Edukimit dhe Ndërmarrësisë (SEED),
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve IPKO (SPPI),
Sindikata e Pavarur e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë së Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë (SPPBIDMGJK)
Sindikata e punëtorëve të Aeroportit Limak Kosova,
Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës (SSHCK),