Rinovimi i turbinave të KEK-ut pas 40 vjetësh, Kurti: Investimi i përafërt me ndërtimin e një termocentrali të ri

Kompania amerikane që kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të termocentralit Kosova B, do të bëjë edhe një punë të kushtueshme aty. General Electric do të bëjë modernizimin e turbinave, përmes një marrëveshje që ka nënshkruar dje me KEK, në vlerë prej 56.2 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti tha se këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike dhe e cilësoi këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë.  

Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar dje marrëveshje me kompaninë amerikane General Electric, për modernizimin e turbinave të dy njësive të TC Kosova B.

Marrëveshja ka vlerë 56.2 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Sipas KEK, ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 MË për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient, si dhe do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave.

“Modernizimi do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave për 20 vite të tjera dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve kapitale të tyre nga çdo 5 vjet në çdo 8-9 vjet. Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të bëhen më efikase dhe më të besueshme. Me këtë projekt modernizimi, në po prezantojmë përparimet më të fundit teknologjike në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin e tyre, si dhe zbatimin e sistemeve të avancuara të kontrollit dhe monitorimit”, thanë nga KEK, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Duke folur për rëndësinë e modernizimit të këtyre turbinave, Kurti tha se këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike

“Rëndësia  e këtij modernizimi nuk mund të theksohen mjaftueshëm. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat. Pas rekonstruktimit që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale; ato do të jenë të nevojshme vetëm çdo 8 apo 9 vite”, deklaroi Kryeministri.

Ai përmendi edhe se si kompania e njejtë kishte dizejnuar para katër dekadash teknologjinë e këtyre turbinave.

“Ka shumë kuptim që sot jemi këtu, bashkë e pranë kompanisë General Electric. E njëjta kompani që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve zona në 1983 dhe 84, dhe tash do të bëjë modernizimin e Kosova B, për të siguruar që do të Kosova B do të vazhdojë e fortë edhe për dekadat në vijim”, tha Kurti.

Për këtë marrëveshje, Kurti ka shkruar edhe sot në Facebook. Sot Kurti tha se ky investim do të ul varësinë nga importi, meqë do të ketë më shumë prodhim.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje, ai e cilësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë.

“Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MËdhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, pa rritur emetimin e gazrave ndotës dhe nevojën për remonte të shpeshta.  Më shumë prodhim, do të thotë më shumë pavarësi energjetike dhe më pak varësi ndaj importeve, më shumë siguri të furnizimit me rrymë dhe më pak shpenzime të buxhetit të shtetit”, thuhet në postimin e Kurtit.