Anomalitë në tregjet e gjelbra të Prishtinës: Patatja më e shtrenjtë se domatja

Në tregjet e gjelbra të Prishtinës çmimet e shumicës së produkteve bujqëore, edhe nga vendoret edhe nga ato të importit, të shtunën dhe të dielën (më 20 dhe 21 maj 2023), krahasuar më dhjetë ditë më parë, kanë qenë ndjeshëm me të larta.  

Buletini Ekonomik

Ecuritë e çmimeve në tregjet e gjelbra të Prishtinës në gjysmën e dytë të majit karaketrizohen me anomali dhe me çmime të ngritura edhe të produkteve bujqësore të vendit, edhe të atyre të importuara. Këto ecuri çmimesh cilësohen nga njohësit e kësaj fushe si të çrregullta dhe jo normale për shkakun se po ndodhin në muajin e pestë të vitit, kur rëndom lirohen produktet bujqësore në Kosovë dhe në kryeqytet, për shkak se disa perime në këtë muaj arijnë në tregjet tona edhe nga serrat e bujqëve të vendit, ndërsa oferta e produkteve nga importi bëhet shumë më e madhe se në muajt paraprak.

Reklama e sponzorizuar

Por, në majin e sivjetshëm, në Tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës (te ndërtesa e RTK-së), çmimet e shumicës së produkteve bujqëore, edhe nga vendoret edhe nga ato të importit, të shtunën dhe të dielën (më 20 dhe 21 maj 2023), krahasuar më dhjetë ditë më parë, kanë qenë ndjeshëm me të larta. Me çmim diku rreth 20 për qind më shtrenjtë tregtoheshin të shtunën dhe të dielën trangujt, që sipas tregtarëve janë prodhim vendor, krahasasuar më 10 ditë më përpara.

Ose, në këto ditë të apostrofuara, kur reporteri i Buletinit Ekonomik, i bëri një vrojtim goxha të detajuar çmimeve në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, një kilogram i trangujve të të gjitha llojeve, kushtonte saktësisht një euro për dallim që i njejti produkt para dhjetë ditëve tregtohej me 80 centë. Po kështu, me çmime të ngritura ofertohej edhe spinaqi (nga 70-80 centë sa ishte para 10 ditësh një kilogram, tani ky produkt shitet me 1 dhe 1, 5 euro kilogrami). Më shtrenjtë tani kushtojnë edhe mollët e cilësisë së mirë, dhe ato në asnjë shtand nuk mund t’i gjesh nën 1 deri në 1,2 euro, derisa para dhjetë ditësh të njejta janë ofertuar me 80 centë deri në 1 euro.

Karrota të shtunën dhe të dielën nga tregtarët e tregjeve të gjelbëra të kryeqytetit janë ofertuar me 1 euro kilogrami, ndërsa para 10 ditësh një kilogram i karrotave ka kushtuar 60-70 centë, që i bie një ngritje çmimi prej 30 deri në 40 për qind. Anomali tjetër që bie në sy në tregjet e gjelbra të kryeqytetit është çmimi i patateve, që këto ditët e sipërpërmendura tregtohen me 1,2 kilogrami dhe ky çmim ishte diku rreth 20 për qind më shumë se ai i domateve, të cilat tregtoheshim me 1 euro për kilogram dhe që imponoheshin edhe me cilësi të mirë.

Tregtarët në këto tregje arsyetohen për çmimin enorm të patateve, se vie nga importi dhe kryesisht nga Egjipti i largët. Por, duhet theksuar se kurrë as në sezonin e këtij produkti, as në muajt e verës dhe as të dimrit, një kilogram patate nuk ka kushtuar me shumë se sa një kilogram domate, siç po ndodhë këtyre ditëve. Doemos që është jashtë çdo logjike të tregut, që në rrethanat kosovare, një kilogram patate, në tregjet e Prishtinës të tregtohen 1, 2 euro, sikundër që ishte dhe vazhdon të jetë abnormale çmimi i qepëve të cilat kushtonin 1,6 euro deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) kilogrami dhe 1 deri në 1,3 euro në tregjet e gjelbërta të kryeqytetit.

Sidoqoftë, tregjet e gjelbra të Prishtinës, në këto ditë të gjysmës së dytë të majit, duken të jenë të furnizuara relativisht mirë me produktet bujqësore. Edhe këtyre ditëve dominojnë perimet dhe pemët nga importi, por gjithsesi janë bërë më të shumta edhe ca perime dhe dredhëzat vendase. Nga perimet e prodhuara në tokat e bujqëve dhe kopshtarëve vendas imponohet tani lakra e re (dje dhe pardje tregtohej me 50 deri në 70 centë një lakër, që është çmim ndjeshëm më i ulët se para 10 ditësh), sallata e gjelbër (3 copë-1 euro), karrota, spinaqi (me çmime të ngritura), ndërsa nga pemët vendase dominojnë dredhëzat, të cilat vazhdojnë të kenë çmime të larta për këtë kohë, që vlerësohet sezoni i kësaj peme dhe krahasuar me fuqinë blerëse të kientelës kosovare.

Të shtunën dhe të dielën, një ambalazhim me dredhëza që përafërsisht peshon rreth 400 gramë në Tregun e gjelbër kryesor të kryeqytetit, kushtonte 1- 1,20.

Megjithatë, çmimi i dredhzave (për të cilat të gjithë tregtarët thonë se janë vendore) në tregjet e gjelbra është ndjeshëm më i ulët se sa ai me të cilën e shesin pronarët e shitoreve të pemëve dhe të perimeve, ku një kësi ambalazhimi në këto ditë ka kushtuar 1,50 deri në 1,70 euro. Nga perimet e importuara edhe këtyre ditëve kanë dominuar specat dhe domatet, të cilat akoma me shumicë vijnë, siç theksojnë tregtarët e këtushëm, kryesisht nga Turqia, Greqia dhe më pak nga Shqipëria. Një kilogram i specave të djegës sot ka pasur çmimin në tregjet e gjelbra të Prishtinës 1,5 euro, që është shumë më i ulët se 10 ditë më parë kur ky çmim ishte 2,5 e më shumë euro. Ndërsa specat e padjegës, si gjihmonë kushtonin ndjeshëm më lirë dhe gjendeshin në shumicën e shtandeve me çmimin 1 euro për kilogram.

Në tregjet e gjelbra të Prishtinës, vazhdojnë të tregtohen me çmime të larta qepët. Ky produkt i domosdoshëm për gatimet tona, sado që ka një ulje të theksueshme çmimi me disa javë më parë, edhe më tutje kushton shumë. Dje dhe pardje, një kilogram qepë, që janë prodhim i sivjetshëm dhe që importohen kryesisht nga Maqedonia e Veriut, siç theksojnë tregtarët, kushton 1 euro, ndërsa kilogrami i qepëve që janë prodhuar vitin e kaluar kushtonin 1,3 euro. Por, me ngritje të ndjeshme çmimi shiteshin qepët e reja të lidhura në tufa, dhe që prodhohen këtu, nga kopshtarët e vendit. Katër tufa këso qepësh dje dhe parde janë tregtuar me 1 euro, që është çmim theksueshëm më i lartë se para do ditësh kur me 1 euro mund të bleheshin 6 deri në 8 tufa të këtilla qepësh. /Buletini Ekonomik