ASK-ja tregon sa janë rritur pagat në sektorin publik dhe privat gjatë vitit 2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat për pagat e vitit 2022 në krahasim me ato të vitit 2021.

Në vitin 2022, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 521 Euro, derisa në vitin 2021 ishin 484 Euro. Pra, kishte një rritje prej 37 Eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2022 ishte 446 Euro, krahasuar me vitin 2021 që ishte 432 Euro. Pra, një rritje prej 14 Eurosh.

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2022 ishte 473 Euro, derisa në vitin 2021 ishte 419 Euro. Pra, kishte një rritje prej 54 Eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto ishte 401 Euro, krahasuar me vitin 2021 e cila ishte 376 euro. Pra, një rritje prej 25 Eurosh.

Reklama e sponzorizuar

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2022 ishte 604 Euro, duke u rritur për 197 Euro, ose 48.4%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 366 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 536 Euro në vitin 2022. Një rrije prej 170 Eurosh, ose 46.4%.

Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 561 Euro, derisa në vitin 2022 ishte 789 Euro. Një rritje prej 228 Eurosh ose 40.6%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 502 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 659 Euro në vitin 2022. Një rrije prej 157 Eurosh, ose 31.3%.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Paga mesatare bruto në vitin 2022, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (968 Euro) dhe Informim dhe komunikimi (896 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (323 Euro).

Paga mesatare neto në vitin 2022, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (804 Euro); Informim dhe komunikim (745 Euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (277 Euro).