Bitcoin, më popullor në Argjentinë dhe Turqi – Arsyet, inflacioni i lartë dhe zhvlerësimi i monedhave vendase

Në vende si Argjentina dhe Turqia, ku inflacioni është i lartë dhe monedhat vendase po lëkunden, njerëzit janë detyruar t’u drejtohen kriptomonedhave në një përpjekje për të mbrojtur kursimet e tyre.

Kjo dëshmohet nga nivelet e larta të pronësisë së kriptomonedhave në të dy vendet, ku Turqia regjistron më të lartat në botë me 27.1% dhe Argjentinë me 23.5%, kur mesatarja globale nuk kalon 11.9% – sipas të dhënave nga firma kërkimore GI.

Emëruesi i përbashkët mes dy vendeve me zotërimet më të larta të kriptomonedhave është inflacioni i shfrenuar, i cili ka bërë që monedhat e tyre të rrëzohen, ndërkohë që i shtyn qeveritë e të dy vendeve në kontrolle informale mbi lëvizjet e kapitalit për të parandaluar një dalje masive të kapitalit.

Reklama e sponzorizuar

Në Turqi, edhe me shifrat zyrtare dhe vazhdimisht të diskutueshme, inflacioni ishte 50.51% në mars, ndërsa Argjentina arriti një rekord prej 104%. Sipas analistëve të K33 Research, “në përgjithësi, zotërimet e kriptomonedhave janë të larta në vendet me kontroll të kapitalit, paqëndrueshmëri financiare dhe politike”.

Reflektimi është i qartë në monedhat e të dy vendeve, pasi lira turke dhe pesoja argjentinase kanë rënë në nivelet më të ulëta historike. Lira turke është dobësuar, pasi një dollar tani blen 19.5 lira. Në të njëjtën kohë, një dollar blen 464 pesos argjentinase në tregun e zi, më shumë se dyfishi i kursit zyrtar të këmbimit të vendosur në vend vitin e kaluar.

Kështu, një përqindje e madhe e banorëve të dy vendeve blejnë të ashtuquajturat stablecoin, kriptovaluta që teorikisht janë të lidhura me ndonjë vlerë kontraktuale të besueshme si p.sh. dollari amerikan ose ari dhe në këtë mënyrë u ofrojnë të interesuarve një alternativë, duke qenë se dollarët janë të pakta në vendet e tyre.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, kriptomonedha më e madhe dhe më e njohur, Bitcoin, është rritur me 72% që nga fillimi i vitit dhe është në 28.600 dollarë, por vëllimi i transaksioneve në Bitcoin është në nivele shumë të ulëta në krahasim me ato të verës së fundit. Arsyeja, natyrisht, ishte seria e skandaleve dhe falimentimeve në industri, të cilat kulmuan me kolapsin e platformës së shkëmbimit të kriptomonedhave, FTX.