Kosova ka mbetur vetëm në nivel të vizioneve (të vlerësuara si të mira nga mazhoranca aktuale dhe ekspertët e saj, por edhe të diskutueshme, nga njohësit opozitar të zhvillimeve në këtë lëmi) dhe të premtimeve të shumta të zyrtarëve aktual për të pasur Kosova më shumë energji të ripërtëritshme. As në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbërt, ndërsa nuk po shihet se ka zgjidhje tjetër pos ndërtimit të ndonjë impianti të ri për të pasur Kosova rrymë.
Mehmet GJATA
Sado që u bë goxha një kohë e gjatë, madje rreth 2 e më shumë vjet qëkur zyrtarët e Republikës sonë nuk rreshtin të shpallin vizione ambicioze të pasjes së energjisë së rinovueshme në një të ardhme të afërt dhe së premtuari të kapaciteteve prodhuese të reja për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme, ose për të përmbushur objektivat e Strategjisë energjetike 2022-2031, ende nuk është nisur asnjë kapacitet i vetëm i prodhimit të këtij lloji të energjisë, edhe pse po i afrohemi gjysmës së 2023-tës.
Më konkretisht, ende Kosova ka mbetur vetëm në nivel të vizioneve (të vlerësuara si të mira nga mazhoranca aktuale dhe ekspertët e saj, por edhe të diskutueshme, nga njohësit opozitar të zhvillimeve në këtë lëmi) dhe të premtimeve të shumta të zyrtarëve aktual për të pasur Kosova më shumë energji të ripërtëritshme. Në nivel të vizioneve, dhe të fjalëve të mira ishte gjithsesi edhe premtimi më i ri, ai i fundit, i kryeministrit Albin Kurti, i deklaruar ditë më parë në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, kur ai ripërsëriti se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”.
Ai, me këtë rast, përmendi edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të jetë, sipas tij, në funksion të energjisë së riprodhueshme.
“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1.300 megabit të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, deklaroi kryeministri Kurti.
Konotacion, pak a shumë identik, fjalë të mira dhe vizione të mjegullta, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone, të ministrës së Ekonomisë, Artane Rizvanollit’, të bërë po kështu, në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt këto ditë në Prishtinë. Ajo e ripërsëriti për të satën herë edhe këtu se “burimet e ripërtëritshme të energjisë, janë burime që e sigurojnë pavarësinë energjetike, po ashtu dhe mbrojnë ambientin, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike të cilat po ndodhin”. Dhe, me këtë rast, Rizvanolli sërish tentoi t’i “mveshë’ merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.
Por, Artane Rizvanolli, nuk e tha një fjalë të vetme konkrete, se ku ka arritur deri tash ndërtimi I parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu.
Ndërsa, sipas të dhënave që ka siguruar Buletini Ekonomik, ndërtimi i parkut solar në KEK, as që ka nisur. Dihen tani për tani vetëm elementet kryesore të projektit, të bëra publike nga administrata e KEK-ut. Dihet, pra, se projekti do të ketë kapacitet 100 MW, do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro, parashihet të ndërtohet mbi kodrat me dhe të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut për të prodhuar rrymë dhe një afat, që ky park solar parashihet të jetë i gatshëm për operim e që është viti 2025, por që ka shumë gjasë që ky afat të jetë më shumë imagjinar dhe fiktiv, pasi që shumë pak punë rreth procedurave të domosdoshme për të zbatuar këtë projek, osë fare deri më tash nuk janë bërë. Nuk është bërë akoma përgatitja e dosjës së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar.
Ndërsa, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti i ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe Investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte. Po e përsërisim: ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbërt.
Ndërkohë, që Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme. Në këtë mënyrë, duket e zymtë dhe thuaja e parealizueshme përspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe, patjetër, e vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga kryeministri Kurti se parashikohet “për më pak se 10 vjet më shumë se 1.300 megabit të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, sikundër që janë të diskutueshme premtimet e ministres Artane Rizvanolli dhe parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.
Dhe, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë. Por, ka fare pak vepra dhe vazhdon të mungojë prezantimi i tyre. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapacitete që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar.
Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për “rrugën me lule” të Kosovës për dekarbonizimin e Kosovësë vazhdojnë. Zyrtarët tanë, ndër ta edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, para ca muajsh, gjatë takimit me një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD) të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit, thanë se Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike, duke e paraqitur në plan të parë fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Presidentja para amerikanëve, në një farë mënyre, garantoi sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori. Ndërkohë, ministrja Rizvanolli, para delegacionit amerikan në mesin e të cilëve ishin edhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë, “mburrej” duke theksuar se “Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik”. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, jo vetëm me këtë rast shfaqi optimizmin e sajë për Kosovën e dekarbonizuar dhe me përplotë kapacitete të energjisë së rinovueshme. Ajo, jo njëherë, gjatë këtyre dy vjetve apostrofoi numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe përcaktoi afate, duke përmendur vite konkrete që janë goxha të afërta për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë së gjelbërt. Sipas saj, Kosova deri më 2025-tën, do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.
“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë dy-tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, ka theksuar në shumë raste ajo.
Dhe, ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Ministrja në këtë periudhë, sidomos gjatë vitit 2022, shpalosi shumë herë edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur. Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krijuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike. Mjaft ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.
Këto, gjithësesi, janë synime ambicioze, për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht. Por, realizimi i këtyre parashikimeve duhet thënë se po ecën fare plogësht, pa ndonjë dinamikë konkrete, dhe që tani shihet se sa e vështirë do të jetë realizimi i këtyre projekteve të synuara. Shkurt, edhe pse, deri më 2025-tën kanë mbetur vetëm edhe 1, 5 vjet, nuk po duken kapacitetet e premtuara të energjisë së rinovueshme. Ndërtimi i tyre, gjithsesi, zgjatë më shumë se 1,5 vjet. Ndërsa ato, asnjëri nga gjithë këto projekte të apostrofuara të energjisë së rinovueshme ende nuk kanë nisur fare së ndërtuari. Gjithsesi, tashmë, pas shpalljes së synimeve dhe objektivave të draft-strategjisë energjetike 2022-2031 (tashmë e miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës, pas zvarritjes së pakuptueshme mbi një vjet), për dekarbonizimin e Kosovës dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, nuk ka kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. Pa këtë hap nuk krijohet “rruga e re energjetike”, e paralajmëruar shumë e shumë herë nga ministrja Rizvanolli, “nëpër të cilën Kosova do të ecte për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar”. “Rruga e re energjetike”, nuk krijohet as me ngritje të vazhdueshme të çmimeve të rrymës, gjithsesi. Më në fund, duhet të nisë ndërtimi i ndonjë kapaciteti të ri të energjisë së premtuar të rinovueshme. Për një kapacitet të tillë, me kosto 100-150 milionë eurosh, dhe me përafërsisht 100-120 megavatë kapacitete prodhuese, Kosova, edhe kështu, e varfër ka mundësi ta bëjë këtë edhe me para të vetat. S’ka zgjidhje tjetër. /Buletini Ekonomik