Dita Botërore pa Duhan – Gjysmë milioni konsumues në Kosovë dhe mbi 400 milionë euro shpenzime për cigare në vit

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka shënuar Ditën Botërore pa Duhan me moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se bota po përballet me një krizë ushqimore të nxitur nga luftërat dhe faktorë të ndryshëm klimatik e të shëndetësisë.

Sipas tij, vlerësohet se rreth 350 milionë njerëz po përballen me pasiguri akute ushqimore e ndërkohë kultivimi i duhanit zë 3.2 milionë hektarë tokë pjellore.

Reklama e sponzorizuar

Kur foli për Kosovën ai tha se rreth gjysmë milion njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt dhe kosovarët shpenzojnë në bazë vjetore afro 400 milionë euro për duhan.

“Dita Botërore Kundër Duhanit, nuk është një ditë shënimi vetëm për kurtoazi. Duhet mbi të gjitha ta kuptojmë si një ditë ku opinioni sensibilizohet akoma më shumë mbi rreziqet që vijnë nga përdorimi i duhanit, përfshirë edhe rreziqet me të cilat ballafaqohen vetë kultivuesit. Prandaj më lejoni që në fillim, të përshëndes dhe falënderoj organizatorin, Institutin Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës. Ky organizim është edhe një dëshmi më shumë se vendi ynë është institucionalisht i vendosur të jetë në krahë me trendët avancuese për njerëzimin”.

“Jo rastësisht motoja e sivjetme e Ditës Botërore kundër Duhanit, është ‘të prodhojmë ushqim, jo duhan’. Bota po përballet me një krizë ushqimore të nxitur nga luftërat dhe faktorë të ndryshëm klimatik e të shëndetësisë. Vlerësohet se rreth 350 milionë njerëz po përballen me pasiguri akute ushqimore e ndërkohë kultivimi i duhanit zë 3.2 milionë hektarë tokë pjellore, e cila do të mund të shfrytëzohej për kultura bujqësore, respektivisht për prodhimin e ushqimit”.

“Mbështetur në hulumtime, rreth gjysmë milion njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt. Kosovarët shpenzojnë në bazë vjetore afro 400 milion euro për duhan. Një barrë shumë e rëndë ekonomike për familjet me duhanpirës. Ajo çfarë po shohim sot, mund lirshëm ta quajmë epidemi e duhanit, andaj natyrshëm vjen në shprehje e drejta e secilit prej nesh për ambient më të shëndetshëm. Të rikujtojmë se në shkallë botërore duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz në vit. Përkundër faktit se në legjislacionin kosovar precizohet në detaje ndalimi i pirjes së duhanit në hapësira publike, megjithatë duhet thënë qartë se me vite të tëra nuk ka pasur vullnet për zbatimin e ligjit, ngase ka pasur një pajtim të heshtur që të bëhet kompromis me shëndetin, përfshirë edhe shëndetin e fëmijëve tanë”.

Ai ka bërë të ditur se janë inspektuar mbi 4000 subjekte afariste, kurse inspektorët janë detyruar të shqiptojnë gjoba në 535 raste, në të gjitha regjionet e Kosovës, raporton EO.

Peci pati thirrje për punëtorët që në komunikimin e përditshëm me qytetarët t’i këshillojnë për pasojat shëndetësore që vijnë nga konsumimi i drejtpërdrejtë apo pasiv i duhanit, raporton EO.

“Me kënaqësi i’u rikujtoj se pikërisht me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, por dhe të vetëdijesimit dhe edukimit të shoqërisë mbi efektet e dëmshme të duhanit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit. Institucionet në këtë drejtim kanë detyra dhe përgjegjësi serioze. MBPZHR, respektivisht AUV, përmes inspektoratit të saj tani e disa muaj ka dinamizuar kontrollet e pirjes së duhanit në hapësira publike. Për një periudhë prej fare pak muajsh, janë inspektuar mbi 4000 subjekte afariste, kurse inspektorët janë detyruar të shqiptojnë gjoba në 535 raste, në të gjitha regjionet e Kosovës”.

“Personalisht, e pranoj se jam befasuar nga shkalla e gjerë e mospërfilljes së ligjit dhe ekspozimin ndaj tymit të duhanit, me të cilin është ballafaquar qytetari i Kosovës. Andaj insistoj që të gjitha institucionet veç e veç, të bëjnë pjesën e tyre të punës, aty ku kanë autoritetin, shembull konkret IKSHP me monitorim permanent të hapësirave të QKUK do të lehtësonte shumë kapacitetet inspektuese të agjencive tjera”.

“Natyrisht, pasi qe po flas nga kapaciteti i Ministrit të MBPZHR, pres edhe reagime nga ata që duhanin e kanë biznes. Sikurse pres reagime edhe nga kultivues potencial bujqësor të duhanit. Puna në bujqësi fatmirësisht mund të realizohet përmes kulturave të ndryshme. Është me rëndësi për vetë bujqit që fitimi që kanë nga puna e tyre, të shoqërohet gjithashtu me një shëndet më të mirë dhe një mjedis më të mirë për veten dhe tokën. Një fermer që mbjell, kultivon dhe korr duhan mund të konsumojë pa vetëdije, nikotinë ekuivalente me 50 cigare në ditë. Ju punëtorët shëndetësor, më shumë se çdokush tjetër, e kuptoni rrezikun që i kanoset shëndetit të njeriut. Ju lutem që në komunikimin e përditshëm me qytetarë, të sensibilizoni sa më shumë çështjen e pasojave shëndetësore që vijnë nga konsumimi i drejtpërdrejtë apo pasiv i duhanit”.