Drejtorit të VisaMetric, gjykata ia vendos masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro

Gjykata Themlore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të VisaMetric me inicialet S.O., ndërsa ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro.

Gjithashtu, S.O., i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.

“Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së”, njofton Gjykata.

Reklama e sponzorizuar

Shtetasi turk S.O., drejtor i VisaMetric është ndaluar dje për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, ndaj tij prokuroria kishte kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit S.O, për shkak të veprës penale Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga neni 394 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro ( pesëmbëdhjetë mijë euro) si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta. Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së.

Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së.