Frika e recesionit mbizotëron në Europë mes niveleve të larta të inflacionit dhe normave të interesit

Kancelari i Mbretërisë së Bashkuar, Jeremy Hunt, ka thënë se është i kënaqur nëse Mbretëria e Bashkuar bie në recesion, nëse kjo do të ulte inflacionin.

Ai tha se do të mbështeste Bankën e Anglisë (Bank of England, BoE), për të rritur më tej normat e interesit, për të frenuar çmimet e larta të konsumit.

“Inflacioni është një burim jostabiliteti,” tha ai.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse duam të kemi prosperitet, të rrisim ekonominë, të zvogëlojmë rrezikun e recesionit, duhet të mbështesim Bankën e Anglisë në vendimet e vështira që merr”.

Ndërsa norma e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar është ulur lehtë në prill, në 8.7%, ajo mbetet më e larta midis vendeve të G7, me kostot e ushqimit ende në rritje.

Investitorët parashikojnë, që normat e interesit do të vazhdojnë të rriten këtë vit, dhe mund të arrijnë në 5.5% deri në fund të 2023, krahasuar me normën aktuale prej 4.5%.

Këto rritje në normat e huamarrjes, kanë çuar në rritje të kostos së kredisë, veçanërisht për normat e hipotekave, duke ndikuar njësoj si familjet dhe bizneset britanike.

Megjithatë, për momentin, ekonomia britanike ka arritur të shmangë një recesion, duke i dhënë BoE hapësirë për manovrim.

Gjermania është tashmë në recesion

Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, hyri në recesion në tremujorin e parë, duke regjistruar dy tremujorë radhazi të rënies së produktit të brendshëm bruto (PBB).

Është hera e parë në tre vjet, që Gjermania hyn në recesion, pasi pandemia e koronavirusit bëri që PBB-ja të bjerë në tremujorin e parë dhe të dytë të 2020.

“Kjo nuk është për t’u habitur, edhe pse shkalla e rishikimit është alarmante,” komentoi analisti Jens Oliver Niklasch.

Konsumi i brendshëm në Gjermani ra, pasi inflacioni qëndroi mbi 7.2% në prill.

Seria e fundit e rritjes së normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane (BQE), për të luftuar inflacionin e lartë, e përkeqësoi më tej situatën, duke penguar ndjeshëm aktivitetin.

Jashtë vendit, partnerët tregtarë të Gjermanisë importuan më pak produkte “made in Germany” se zakonisht. Arsyet përfshijnë “problemet gjeopolitike, normat e larta të inflacionit dhe humbjen e fuqisë blerëse”, sipas institutit ekonomik DIHK.

Pavarësisht këtij ngadalësimi, qeveria gjermane mbetet optimiste, duke parashikuar një normë rritjeje prej 0.4% në vitin 2023.

“Perspektiva për ekonominë gjermane është shumë pozitive dhe ne jemi në proces të tejkalimit të sfidave me të cilat përballemi,” u tha gazetarëve kancelari Olaf Scholz të enjten.

Ministria e Ekonomisë tha se pret një “dimër të dobët”, por një “përmirësim të qartë” më pas.

Jo të gjithë e ndajnë këtë optimizëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi, se aktiviteti ekonomik gjerman do të tkurret me 0.1% këtë vit, përpara se të rimëkëmbej me 1.1% në 2024.

Situata e Gjermanisë ndryshon nga ajo e fqinjëve të saj europianë, ku rreziku i recesionit është zvogëluar gradualisht, për shkak të rënies së çmimeve të energjisë, sipas Global Market Insight.

Në Belgjikë dhe Francë, prodhimi ekonomik u rrit përkatësisht me 0.4% dhe 0.2% në tremujorin e parë të 2023, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Italia pa një rritje të PBB-së me 0.5%. /Euronews/