Guvernatori i ri i BQK-së, a po kthehet procesi në pikën zero

BQK - Buletini Ekonomik

Kanë kaluar gati 1 muaj prej se Komisioni për Buxhet i ka rekomanduar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që konkursin për guvernator të BQK-së të e kthejë në pikën zero.

Por ende nuk dihet nëse ky konkurs për pozitën më të lartë financiare në vend do të kthehet në fillim ose jo.

Derisa nga Kuvendi i Kosovës nuk janë përgjigjur se kur do të ketë një vendim për këtë, deputetët thonë se kjo çështje është e natyrës urgjente dhe si e tillë duhet të trajtohet.

Reklama e sponzorizuar

Ferat Shala, nga PDK thotë se i gjithë ky skenar siç e quan ai është bërë për të vendosur aty anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është e qartë që politikat e Lëvizjes Vetëvendosje të kësaj qeverie për kapjen e institucioneve financiare, siç është BQK po realizohen sipas skenarit që ne e kemi ngritur shqetësimin në komision, ne tani kemi organet e përkohshme dhe sipas të gjitha gjasave konkursi po shkon në pikën zero”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Se kjo çështje duhet të trajtohet sa më shpejtë edhe në rast se kthehet në pikën zero, e thotë edhe deputetja Duda Balje, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Buxhet.

“Tash kemi një u.d masanej është problem se është i lidhur me bordin e trustit, se njëri nga kandidatëve në bordin e trustit duhet me qenë guvernatori i BQK-së, edhe vërtet është shumë problematike tash është në dorën e kryetarit dhe shpresoj se do të vendos sa më shpejt”, ka thënë deputetja Duda Balje.

Televizioni ka provuar të marr edhe një qëndrim nga kryetari i komisionit për buxhet, njëherit edhe deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, por ai nuk është përgjigjur.