“Haraçi” bankar me transfere ndërkombëtare

Sistemi i pagesave në Kosovë ende bazohet vetëm tek bankat si akterë kryesor. Bankat po e shfrytëzojnë këtë ‘pozitë dominuese’ duke aplikuar tarifa super të larta, dhe në disa raste duke e pamundësuar edhe konkurrencën.

Buletini Ekonomik

Për çdo transfer ndërkombëtar përmes bankave komerciale, një klient duhet të paguajë tarifë nga 5 euro deri në 800 euro, varësisht prej shumës së transferuar. Veç kësaj, pagesat nuk mund të kryhen në çdo kohë brenda ditës si dhe vonojnë deri në cak.

Reklama e sponzorizuar

Në Kosovë ende nuk kryhen ato që njihen si instant pagesa apo transfere brenda 3 sekondave dhe në çdo kohë gjatë ditës. Bankat janë ende të vetmet që kanë qasje të drejtpërdrejtë në sistemin e pagesave.

Kompanitë e njohura për pagesa të shpejta dhe që aplikojnë teknologji të avancuar (IFJB) në Kosovë, shërbimet e pagesave mund t’i kryejnë vetëm përmes një llogarie të hapur në një bankë. Kjo u ka dhënë bankave ekskluzivitetin në shërbimet e pagesave, në raste-raste edhe në dëm të akterëve tjerë në treg.

Bankat po e shfrytëzojnë këtë pozitë dominuese, duke aplikuar tarifa të larta, dhe në disa raste duke e pamundësuar konkurrencën.

Një nga IFJB-të e licencuar nga BQK, e njohur për transfere të shpejta sekondëshe, ende nuk ka të hapur llogari nëpër shumicën e bankave komerciale.

“Të gjitha bankat e mëdha kanë refuzu me hap llogari për ne dhe këto shqetësime ne i kemi i ngritur në BQK dhe jemi duke pritur”, ka thënë përfaqësuesi i këtij institucioni në kushte anonimiteti. Ndërkaq, pa një llogari të hapur në një bankë, kompania e ka të pamundur t’i kryejë shumicën prej shërbimeve të saj.

Kjo situatë ngre dyshime për monopol nëse shikohet neni 45 i Ligjit për Bankat, i cili ua ndalon bankave të kenë “pozicion zotërues”.

“Bankat ndalohen të hyjnë në transaksione ose të angazhohen në praktika të çdo lloji që do t’u jepnin atyre, vetëm apo së bashku me të tjerë, një pozicion zotërues në tregjet e parasë, kapitalit ose këmbimit valutor, dhe në angazhime në mjete manipuluese ose praktika të çmimeve grabitqare që mund të rezultojnë në një avantazh të pandershëm për ata vetë ose për palë të treta”.

Mbyllja e llogarive për IFJB-të nga bankat dhe dyshimet për ‘pozitë dominuese’

Buletini Ekonomik mëson se për këtë çështje ka kohë që është e njoftuar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila sipas ligjit është rregullatore e sistemit financiar në Kosovë. IFJB-të tashmë kanë deponuar ankesat e tyre në këtë institucion.

Mirëpo një reagim i drejtpërdrejtë nga BQK ka ardhur vetëm së fundi.

Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja, në një takim me përfaqësuesit e Komisionit Kosovar të Konkurrencës, ka përmendur “praktikën jo të mirë që tashmë disa banka janë duke e bërë në Kosovë, siç janë mbylljet e xhirollogarive të disa institucioneve financiare jobankare nga ana e bankave në vend.”

Nurboja ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që t’i shikojë rastet, ku ka ankesa nga institucionet financiare jobankare për kufizimin e aktivitetit ekonomik, që po iu shkaktohet nga disa banka.

Sipas tij, “mbyllja e xhirollogarive në mënyrë të njëanshme të institucioneve financiare jobankare nga ana e disa bankave nuk është praktikë e mirë, e sidomos kur nuk ka arsyetime të mjaftueshme.”

Ndërkohë, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku –Isufi, ka përmendur abuzimin me fuqinë dominuese në treg nga subjektet e ndryshme pa iu referuar drejtpërdrejtë rastit në fjalë.

“Ligji i konkurrencës në Kosovë ndalon marrëveshjet për fiksimin e çmimit, abuzimin me fuqinë dominuese, si dhe përqendrimet që rrezikojnë të krijojnë një pozitë dominuese në treg”, ka thënë ajo.

Direktiva PSD2– jo e aplikueshme në Kosovë

Kosova ende nuk e ka adoptuar Direktivën Evropiane për Pagesa (Payment Services Directive PSD2), e cila i obligon bankat të mundësojnë qasje në të dhëna (open data). Direktiva PSD2 kërkon sistem të avancuar të pagesave për klientët dhe u mundëson akterëve tjerë në treg, siç janë IFJB-të, të jenë konkurrentë në shërbimet e pagesave.

Aktualisht, Sistemi i Pagesave në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për Bankën Qendrore dhe Ligjin për Sistemin e Pagesave, mirëpo të dyja këto ligje nuk përmbajnë kërkesat që dalin nga Direktiva PSD2.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, pati thënë për Buletinin Ekonomik se “këto kërkesa marrin kohë dhe bartin kosto për adaptimin, dhe implementimin e plotë të tyre, të cilat, sipas tij, kanë rezultuar të jenë sfiduese dhe me vonesa edhe për vendet e BE-së.

“Prandaj, përveç adaptimit në kuadër të legjislacionit primar të kësaj direktive, kërkohet kohë për përgatitjen e rregulloreve të nevojshme, si dhe përgatitje, kohë dhe investime për sa i përket implementimit të kërkesave të saj nga bankat dhe IFJB-të”, pati thënë ai.

Mirëpo, nga IFJB-të thonë se e kanë gjithë teknologjinë e avancuar për të kryer pagesa sekondëshe për klientët kudo nëpër botë.

Një përfaqësues tjetër i një IFJB-je ka përmendur teknologjinë edhe për shërbimin e integrimit e-commerc, për pagesa me vetiniciativë të klientëve. Ky shërbim do të ishte i nevojshëm sidomos për bizneset vendore që bëjnë tregti me biznese jashtë Kosovës.

“Deri tash nuk kemi pranuar gatishmëri prej bankave në këtë drejtim. Ne pjesën tonë e kemi gati për t’i ofruar këto shërbime”. /Buletini Ekonomik/