Në Kosovë, në këta muaj të 2023 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlefshëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë parneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Ndërkohë, sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, rreth 18 komuna nuk do të përfitojnë asnjë cent nga niveli qendror për projekte të reja të investimeve kapitale. Cilat janë top-prioritet investuese të Qeverisë së Kosovës?
Mehmet GJATA
Pavarësisht parashikimeve goxha optimiste të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike, në raport me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (sipas raportit “Perspektivat Ekonomike Rajonale“ të BERZH-it, rritja ekonomike për vendet e rajonit do të jetë me një mesatare prej 2.2 për qind, ndërsa ajo e Kosovës – 3.5 për qind) dhe një varg prononcimesh të autoriteteve të Kosovës për arritje zhvillimore, por edhe për rritje investimesh, Kosova po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm. Në Kosovë edhe në këta muaj të shkuar të 2023-tës ka inflacion shqetësues, ka ngritje pa kontroll çmimesh të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre themelore ushqimore, ka varfëri të madhe, ka papunësi enorme dhe ikje brengosëse të qytetarëve nga vendi i tyre.
Në Kosovë, në këta muaj të 2023 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlefshëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë parneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Për të qenë korrekt, këto ditë është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW në vlerë 75 milionë euro. Por, sado i rëndësishëm të jetë ky veprim (lansimi i këtij ankandi), deri të realizimi i këtij projekti, domosdo do të duhet të kalojë një kohë e gjatë.
Ndërkohë, sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi rreth 18 komuna nuk do të përfitojnë asnjë cent nga niveli qendror për projekte të reja të investimeve kapitale. Dhe, Ibrahimi konsideron se mos investimi në projekte kapitale do të ndikojë në normën e rritjes ekonomike.
Edhe kryetari i Odes Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, për medien kosovare ka ripërsëritur për të satën herë se “mos investimet në projektet kapitale, pashmangshëm do të ndikojnë në normën e rritjes ekonomike”. “Në raportet e organizatave ndërkombëtare është thënë se rritja ekonomike që e ka karakterizuar Kosovën përgjatë viteve të fundit ka qenë rezultat i konsumit dhe rrjedhimisht ndikimit të remitencave të diasporës, por në të njëjtën kohë edhe si rezultat i investimeve kapitale. Nëse investimet kapitale qenkan njëra prej dy shtyllave më të rëndësishme të vendit, automatikisht konkludojmë se moskryerja e investimeve kapitale ose mos shpenzimi i këtyre mjeteve të cilat janë paraparë për investime kapitale brenda një viti të caktuar buxhetor, pashmangshëm se do të jenë ndikim edhe në normën e rritjes ekonomike”, ka thënë për medien Zeka.
Ndërsa, sipas raportit të Institutit GAP, nga gjithsej afro 811 milionë euro sa është parashikuar të jenë investimet kapitale, 611 milionë euro apo 75% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe rreth 200 milionë euro janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Nga kjo shumë për projekte të reja, rreth 26%, përkatësisht 51 milionë euro janë të alokuara për nivelin qendror, kurse pjesa tjetër për nivelin lokal. Nga 51 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, një detajist i të dhënave edhe për investimet, nëpërmjet një statusi të tij në publikuar në rrjetet sociale, është shprehur se “asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë”. Largimin e investitorëve të huaj dhe atyre vendorë, ai e sheh te pasiguria politike dhe ekonomike. Sipas tij, “paqartësia në dialogun me Serbinë, si dhe Marrëveshja e Ohrit që e betonoi status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë”. “Jo vetëm investime të jashtme, por as investime vendore nuk mund të ketë me gjithë këtë paqartësi politike”, ka shtuar ai. Hoti është shprehur se “bizneseve nuk po iu ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike”. “Pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime: (a) i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese; (b) vendosi tua marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare; dhe (c) vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të huaja dhe ligjin për investime strategjike. Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë perceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme”, ka vlerësuar ai.
Këto, pak a shumë janë të dhënat që defilojnë dhe janë të bëra tashmë publike në shumë medie të Kosovës rreth zhvillimeve ekonomike, me theks te investimet. Dhe, nga këto të dhëna, por as nga prononcime të autoriteteve dhe promovime të të arriturave zhvillimore të kësaj Qeverie, nuk del të jenë edhe aq me priorite investimet kapitale edhe në këtë vit, ndërsa nuk janë në asnjë mënyrë top-prioriteti i pritshëm për këto investime. “Efiçienca e energjisë është top prioritet i Qeverisë së Kosovës, e ku parashihet të bëhen investime në këtë sektor, përfshirë këtu fondin 75 milionësh nga BE, përmes të cilit do të bëhen investime në efiçiencë të shtëpive, si dhe subvencionim të pajisjeve efiçiente për familje dhe biznese të vogla e të mesme”, ka deklaruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt në Prishtinë në fillim të këtij muaji.
Duke folur në sesionin për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe mjedis të fragmentuar, sado që e potencoi faktin se “agresioni në Ukrainë e ka riforcuar faktin që siguria energjetike është çështje e sigurisë kombëtare dhe se pavarësia energjetike është më e rëndësishme se çdoherë tjetër”, Rizvanolli, një fjalë të vetme nuk e tha për ndonjë investim kapital, përcaktues për sigurinë dhe pavarësinë energjetike të vendit. Efiçienca, gjithsesi, nuk është se nuk do të duhej të jetë prioritet, por ndërtimi i një kepaciteti elektroenergjetik, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë të energjisë së rinovueshme, ka 20 vjet që është nevojë immediate, është urgjencë, dhe është e mundshme të realizohet, edhe nëse nuk gjenden mjete nga investitorë të jashtëm, apo nga institucione monetare ndërkombëtare.
Kosova edhe me gjendjen aktuale financiare të brishtë dhe me mungesë të ndjeshme parash, ka mundësi edhe me mjete vetjake të ndërtojë një kapacitet elektroenergjetik. Rindërtimi i tërësishëm i një blloku të termocentraleve Kosova A, siç është paraparë edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, dhe që llogaritet të kushtojë 100 deri më së shumti 150 milionë euro, do të ishte fare i mundshëm edhe me mjetet e Kosovës, dhe po të insistohet edhe më shumë edhe me mjetet vetanake të KEK-ut. Pse mos të destinohen, bie fjala, 117 milionë euro të realizuara më 2022 nga eksporti i rrymës për ndërtimin e tërësishëm të A3-shit, të vijëzuar në dokumentet zhvillimore. Ka shumë mundësi të tjera, për të realizuar investime të rëndësishme dhe të nevojshme për vendin. Vetëm duhet ditur të bëhen këto investime, duhet të gjenden projekte atraktive dhe të dobishme zhvillimore dhe të ketë vendosmëri dhe konsistencë institucionale.
Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse të vazhdojë për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Të jetë më e vëmendshme në monitorimin e saktë të zbatimit të ligjeve, duke themeluar në raste të nevojshme edhe mekanizma të rinj për përcjelljen e zbatimit të këtyre ligjeve për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj që tashmë janë në Kosovë, por edhe investitorëve potencialë, të cilët e shohin Kosovën si destinacion për investim. Institucionet duhet të fokusohen në tërheqjen e investimeve në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, tu ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer në Kosovë. Ndërsa mundësi të reja, siç është përsëritur tashmë sa e sa herë, duhet të ishin sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë. Nuk është lehtë të bëhen shpejtë të gjitha këto punë, por janë të arritshme dhe të realizueshme nëse do të kishte vendosmëri institucionale dhe vullnet politik. /Buletini Ekonomik