Këmbimi i energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri: KESH ka kthyer tërë borxhin dhe ka deponuar në KEK 34 mijë megavatë

Fotografi ilustruese

Duke pasur vazhdimisht teprica KESH-i gjatë dimrit, dhe në anën tjetër Kosova që ka nevojë për më shumë energji elektrike në këtë periudhë se sa që prodhonin termocentralet e saja, KESH-i vazhdimisht i ka ofruar KEK-ut sasinë standarde të rrymës deri në fund të shkurtit 2023. Në këtë mënyrë, jo vetëm që ktheu borxhin prej 220 mijë megavatësh, por ka deponuar në KEK si hua edhe diku rreth 34 mijë megavatë-orë. Këtë sasi KEK-u do t’ia kthejë Shqipërisë gjatë muajve të verës, kur pritet të ketë teprica.

Buletini Ekonomik

Zyrtarë të shumtë të KEK-ut, goxha me mburrje kanë folur vjet, që nga fillimi i vjeshtës dhe gjatë tërë dimrit të sivjetshëm, për efektin e remonteve të rregullta të planifikuara në të gjitha njësitë ekzistuese në termocentralet e stërvjetëruara të Kosovës, duke theksuar vazhdimisht se janë shpaguar shumëfish këto riparime, të bëra, siç dihet, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës.

Freskimi goxha i detajuar teknik i blloqeve B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosovës A gjatë vitit të kaluar, ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë ditëve të acarta të dimrit.

Reklama e sponzorizuar

Me fjalë të tjera, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, me kapacitet të secilit bllok prej 260 megavat-orësh dhe A3 dhe A4 të Kosovës A, me gjithsej 260 megavatë-orë, janë prodhuar thuaja në vazhdimësi diku afër 800 megavatëshit. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Ndërsa, duhet theksuar se sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut i janë shtuar për ditë, javë dhe muaj të tërë edhe një sasi e e energjisë elektrike që erdhi nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH, pas të reshurave të mëdha, ia ktheu borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Në periudhën që po flitet, që nga vjeshta e vitit të kaluar, Shqipëria kishte teprica të energjisë elektrike, që janë mundësuar nga reshjet e shumta që ndodhën thuaja në tërë këtë kohë. Reshjet e shumta dhe të zgjatura në fund të nëntorit në rajon (në vendin tonë, në shtetet fqinje dhe sidomos në Shqipëri), ishin tejet dobiprurëse dhe përmirësuan ndjeshëm bilancet energjetike të vendeve që kanë më shumë hidrokapacitete elektroenergjetike. Këto reshje kanë ndikuar më së shumti në përmirësimin e gjendjes energjetike në Shqipëri, ku vrullshëm dhe brenda disa ditësh, praktikisht u mbushën akumulimet e ujit në kaskadën e Drinit, duke ua bërë të mundshme hidrocentraleve të Shqipërisë prodhimin maksimal të rrymës.

Në saje të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthejë borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm.

KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH gjithsej diku rreth 220 mijë megavatë-orë. Ndwrsa, siç ka njoftuar për Buletinin Ekonomik, Skender Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, me raste, Kosova gjatë 24 orëve në periudhën dimërore ka ndodhur të marrë nga KESH edhe mbi 230-250 megavatë. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria, i është ofruar KEDS-it dhe një sasi e vogël i është dedikuar Termokosit si energji termike për ngrohjen qendrore të Prishtinës. Në këtë mënyrë është arritur që të mbahet stabiliteti i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, dhe është arritur që KEDS-i në saje të rrymës nga KEK-u, të ketë importe thuaja minimaliste në këtë dimër dhe reduktime fare të pakta.

Sipas Skënder Bucollit, Korporata Energjetike e Kosovës gjatë verës dhe vjeshtës së kaluar (gjatë vitit 2022), ka deponuar në Shqipëri diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike. KEK rregullisht të gjitha kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike i ofron KESCO-s për shërbimin universal (furnizimin e konsumatorëve), KEDS-it dhe KOSTT për humbjet në rrjet. Ndërsa, tepricat të cilat janë paraqitur kryesisht natën kur zakonisht bie konsumi vendor, fillimisht i janë ofruar KESH-it si depozitim dhe pjesa e mbetur është eksportuar. Shqipëria në këtë periudhë ka pasur nevojë shumë për rrymë, për shkak të thatësisë dhe zbrazjes së liqeneve akumuluese në Kaskadën e Drinit.

Ndërkohë, me ndodhjen e reshjeve të mëdha dhe me mbushjen e liqeneve akumuluese të hidrocentraleve shqiptare, sidomos gjatë sezonit dimëror, KESH nisi të kthejë borxhin e rrymës ndaj KEK-ut. Duke pasur vazhdimisht teprica KESH-i gjatë dimrit, dhe në anën tjetër Kosova që ka pasur nevojë për më shumë energji elektrike në këtë periudhë se sa që prodhonin termocentralet e saja, KESH-i vazhdimisht ka ofruar sasinë standarde të rrymës deri në fund të shkurtit 2023.

Në këtë mënyrë, jo vetëm që ktheu borxhin, por tani del të ketë deponuar në KEK si hua diku rreth 34 mijë megavatë-orë. Këtë sasi KEK-u do të kthejë gjatë muajve të verës, kur pritet të ketë teprica, aq më parë pasi që këto ditë do të riaktivizohet edhe blloku A5, i cili që nga korriku i vitit 2022, ka qenë jashtë prodhimit, në pritje të nisjes së punëve të remontit kapital. /Buletini Ekonomik/