Asociacioni i Komunave të Kosovës të martën i është drejtuar me kërkesë urgjente Qeverisë dhe Kuvendit për zhbllokimin e mjeteve vetanake të pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake.
Kjo bëhet përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023.
Kërkesa është dorëzuar një ditë pasi kryetarët e komunave zhvilluan takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Në kërkesën të cilën e ka siguruar Telegrafi thuhet se komunat nuk po arrijnë që t’i shpenzojnë rreth 37.5 milionë euro si pasojë e mosplotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji.
“Si pasojë e mos plotësimit dhe ndryshimit të nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, Komunat e Kosovës, nuk po arrijnë që t’i shpenzojë rreth 37.5 milion euro, të cilat duhet të jenë në funksion të realizimit te projekteve zhvillimore në interes të qytetarëve të Komunave”, thuhet në kërkesën e komunave.
Nëse kjo kërkesë nuk zbatohet, komunat kanë paralajmëruar se me qindra projekte të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, nuk do të zbatohen edhe do të mbesin peng.
“Edhe njëherë, jemi të obliguar t’ju njoftojmë se nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të sipër theksuar, atëherë me qindra projekte nëpër Komuna e të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe nuk do të zbatohen edhe do të mbesin peng”.