Kosova ka shënuar një progres të madh në sektorin bankar, pasi qasja në llogaritë bankare është rritur me 31.8% gjatë viteve 2011 deri në 2021, sipas raportit të fundit të Indeksit të Qasjes në Financa (“Findex”) të Bankës Botërore.
Ky rezultat pozitiv është një shenjë e përpjekjeve të mëdha të sektorit bankar në Kosovë dhe na vë në rrugën e duhur për të arritur avancim edhe më të madh në aspektin e qasjes në llogaritë bankare.
Sipas raportit të Bankës Botërore “Findex” për vitin 2021, 58% e qytetarëve në Kosovë kanë qasje në llogari bankare, duke shënuar rritje të madhe nga 44% sa ishte në vitin 2011. Kjo rritje e vazhdueshme dëshmon se sektori bankar po bën përparim të madh në përmirësimin e qasjes së popullsisë në shërbimet financiare, duke përfshirë edhe qasjen në llogaritë bankare.
Sektori bankar në Kosovë ka treguar përkushtim të madh në zgjerimin e e shërbimeve të ofruara dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e përdorimit të llogarive bankare. Këto përpjekje janë çelësi për të siguruar që qytetarët e Kosovës kanë mundësinë për të përfituar nga avantazhet e qasjes në llogaritë bankare, duke përfshirë sigurinë, lehtësimin e transaksioneve financiare dhe mundësinë e planifikimit të mëtutjeshëm financiar. Vlen të ceket se edhe një parakusht i rëndësishëm për qasje të lartë në llogari bankare është që niveli i papunësisë në vend të jetë i ulët pasi që nëse niveli i papunësisë është i lartë kjo do të jetë pengesa kryesore për një individ që të ketë qasje në llogari bankare.
Një nga synimet kryesore të sektorit bankar në Kosovë është rritja gjithëpërfshirëse financiare dhe rritja e cilësisë së shërbimeve krahas kërkesave të bankingut modern.
“Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil, likuid dhe i mirëkapitalizuar duke vazhduar të financojë bizneset dhe ekonomitë familjare si një nga kontribuuesit më të mëdhenj në rritjen ekonomike të vendit”, njofton Shoqata e Bankave të Kosovës.