Që Maqedonia e Veriut të arrijë pavarësinë energjetike nga gazi rus, është thelbësore të ndërtohet gazsjellësi ndërlidhës nga Negotina në Greqi në periudhën e ardhshme.
Shtetet e Bashkuara po i japin mbështetje të madhe Maqedonisë së Veriut dhe Qeveria e këtij vendi i bën thirrje Kuvendit të zhbllokojë miratimin e ligjit përmes të cilit Elektranat e Maqedonisë së Veriut do të mund të hyjnë në investimin për ndërtimin e këtij projekti strategjik sa më shpejt. Burime qeveritare presin që ndërtimi i lidhjes së gazsjellësit me Greqinë të nisë deri në fund të vitit, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Në konferencë për media, qeveria e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se ka interesim nga investitorët për ndërtimin e bllokut të ri, të katërt në “Manastiri”, i cili do të prodhonte energji elektrike nga gazi. Është investim që është në fazën përfundimtare të projektimit, por Qeveria nuk jep më shumë detaje për momentin.
Njëkohësisht në Negotinë është planifikuar të ndërtohet një termocentral i madh me gaz me kapacitet prej 800 megavat, për të cilin Qeveria informon se Serbia aktualisht është e gatshme të nënshkruajë memorandum për ndërtimin e këtij termocentrali me gaz.
Lidhja e gazsjellësit me Greqinë do të ndërtohet me kapacitetin më të madh të mundshëm, sepse ka edhe interes për importimin e gazit përmes vendit tonë nga Serbia dhe Kosova, thonë nga Qeveria. Pasi të ndërtohet, vendi ynë do të mund të importojë gaz natyror, si nga gazsjellësi TANAP që kalon nga Greqia, ashtu edhe nga terminalet e paralajmëruara të gazit të cilat po ndërtohen në Greqi.
Në të njëjtën kohë, Qeveria e vendit informon se me mbështetjen e madhe të SHBA-së në sezonin e kaluar të ngrohjes, është arritur stabiliteti energjetik dhe pavarësia përmes liberalizimit të siguruar të tregut dhe shfrytëzimit jo vetëm të gazit rus, por edhe të gazit të blerë nga Azerbajxhani, Algjeria dhe burime të tjera. Nga Qeveria thonë se nuk ka pasur pengesa në dërgimin e energjisë nga Bullgaria gjatë dimrit të kaluar.
Nga Qeveria informuan se në dy muajt e fundit është punuar për nënshkrimin e një memorandumi me Serbinë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10, e cila duhet të jetë vazhdim i linjës hekurudhore që aktualisht po ndërtohet nga Serbia dhe Hungaria ndërmjet Beogradit dhe Budapestit, dhe se planifikohet që Serbia në vitet e ardhshme ta shtrijë atë deri në Preshevë në kufirin me RMV-në.
Ndryshe nga Serbia, e cila më së shumti po ndërton hekurudhën e shpejtë në territorin e saj me kredi nga Kina, qeveria e vendit sqaron se nuk ka bisedime me Kinën apo ndonjë konzorcium kinez për këtë projekt. Hekurudha e shpejtë do të ndërtohet me burime financiare të marra nga banka të BE-së. Informacionet e qeverisë janë se fillimisht një hekurudhë e tillë e shpejtë do të ndërtohej nga Presheva në Shkup, dhe në fazën tjetër deri në kufirin me Greqinë. Qeveria tani për tani vetëm bën me dije se kjo hekurudhë e shpejtë do të kalonte në itinerarin ekzistues.
Lista të hapura për zgjedhje, me prag elektoral deri në 4.5 përqind për të hyrë në parlament
Nga Qeveria informuan se në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duhet të diskutohet për vendosjen e listave të hapura, përmes të cilave qytetarët do të zgjidhnin deputetët që do të hynin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në konferencën e sotme për media, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se është për vendosjen e një njësie zgjedhore me lista të hapura dhe se duhet të diskutohet edhe për pragun për hyrjen e partive më të vogla në Kuvend, për të cilat ai vlerëson se interesante do të ishte pragu midis 3 dhe 4.5 përqind.
Qeveria informoi se propozimi evropian për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është propozimi më i mirë i mundshëm. Në VMRO-DPMNE ka individë që nuk mendojnë si udhëheqësia e tyre, por presin që qeveria të inkurajojë partinë dhe të mbështesë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit.
Nga Qeveria e e vendit informuan se vizita disaditore e kryeministrit Kovaçevski në SHBA është shfrytëzuar edhe për nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim me SHBA-në në luftën kundër dezinformatave. Kryeministri Kovaçevski e nënshkroi memorandumin me përfaqësuesin special dhe koordinatorin e Qendrës për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit, James Rubin. Qeveria pret që me këtë memorandum të intensifikohet bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi për ndikimin e dëmshëm të dezinformatave të përhapura nga Rusia dhe subjektet e tjera keqdashëse.