Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, aplikojnë norma goxha të larta të interesit për kreditë që ofrojnë.
Nëpër çmimoret e këtyre institucioneve financiare, normat e interesit variojnë nga 23 për qind deri në 41 për qind, që njëherit është edhe norma më e lartë e interesit për kredi në këtë sektor.
Përgjatë një viti fiskal, këto institucione arrijnë të grumbullojnë deri në 15 milionë euro profit neto, të hyra këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit në kredi.
Aktualisht, norma mesatare e interesit në kredi është 19.9 për qind, mirëpo në kredi specifike norma e interesit mund të arrijë deri në 41 për qind.
Kreditë konsumuese janë më të shtrenjtat për klientët e këtyre institucioneve. Variojnë nga 23 deri në 41 për qind.
Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregon se si rezultat i këtyre kamatave, këto institucione vetëm për tre muajt e parë të këtij viti kanë arritur një fitim të pastër prej 4.2 milionë euro, gjë që paraqet një rekord krahasuar me vitet e kaluara. /Buletini Ekonomik/