Nesër skadon afati për aplikim në konkursin për anëtarë të Bordit Drejtues të Trustit

Afati për aplikim në konkursin që është rishpalllur për plotësimin e vendeve të lira për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, përfundon nesër më 5 maj në ora 16:00.

Përzgjedhja e kandidatëve, siç ka kumtuar për Buletinin Ekonomik Banka Qendrore e Kosovës, do të bëhet nga Komisioni për përzgjedhje, i cili sipas Nenit 4, paragrafi 4.6 të Ligjit për Fondet Pensionale, përbëhet nga Guvernatori i BQK-së – kryesues, Auditori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave.

Kurse, pas përfundimit të procedurave përkatëse, lista finale pritet të dërgohet edhe në Kuvendin e Kosovës për votimin e kandidatëve.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, që nga 28 shkurti 2023 të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) iu ka përfunduar mandati.

Që nga kjo datë, 2.5 miliardë euro nga pensionet e kosovarëve kanë mbetur pa menaxhim, duke u ekspozuar para rreziqeve të mundshme në tregje, për shkak se asnjë veprim nuk mund të merret pa një Bord funksional. Kjo për shkak se sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara.

Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, nuk kanë mundur as të investohen në tregje financiare.

Ditë më parë, BQK-ja kishte njoftuar se është rishpallur konkursi për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit për Kursime Pensionale, pas neglizhimit për disa javë të tri institucioneve përgjgjëse për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Në këtë konkurs, janë shpallur pozitat e lira për 5 anëtarë profesionalë, 1 anëtar përfaqësues i punonjësve dhe 1 anëtar përfaqësues i punëdhënësve. /Buletini Ekonomik/