Gjermania bën pjesë ndër vendet me taksa nga më të lartat krahasuar me vendet e tjetra të industrializuara të botës. Ajo renditet e dyta në radhën e vendeve të industrializuara, ku njerëzve u duhet të paguajnë ndër taksat dhe detyrimet më të larta.
Ky është rezultati i një studimi krahasues të ndërmarrë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
“Sipas një krahasimi ndërkombëtar të ardhurat e ulëta dhe të mesme në Gjermani u nënshtrohen taksave dhe detyrimeve relativisht të larta,” tha kreu i degës së OECD-së në Berlin, Nicola Brandt.
Sipas Brandt kjo vjen kryesisht për faktin se sistemet e sigurimeve shoqërore financohen kryesisht nga kontributet për sigurimet shoqërore.
Megjithatë taksat relativisht të larta kompensohen disi më pas nga përfitimet e drejtpërdrejta siç janë të drejtat e pensionit, sigurimet shëndetësore dhe sigurimi në rast papunësie.
Sipas Brandt-it sigurime të tilla nuk ka në të gjitha vendet e OECD-së. /Scan tv/