Pse po varfërohen kosovarët?

Mehmet Gjata

Për shkak të çmimeve stratosferike dhe pagave më të ulëta në rajon, edhe statusi i të ashtuquajturës shtresë e mesme e kosovarëve ka zënë të jap sinjale se po lëkundet dhe po anon kah shtresat e varfëra të këtij vendi. Me fjalë të tjera, tendenca e varfërimit të kosovarëve nuk po ndalet, as nuk po zbutet. Përkundrazi është duke u thelluar dita-ditës.

Mehmet GJATA

Rritja enorme e çmimeve në Kosovë në dy vjetët e fundit, sidomos e produkteve elementare ushqimore, që tashmë kanë tejkaluar edhe çmimet në shumë vende të Europës, dhe pagat fare të ulëta të shumicës së të punësuarve në të dy sektorët, janë shkaqet e katandisjes ekonomike dhe sociale të pjesës dërmuese të popullsisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Tani, për shkak të çmimeve stratosferike dhe pagave minimaliste, edhe statusi i të ashtuquajturës shtresë e mesme e kosovarëve ka zënë të jap sinjale se po lëkundet dhe po anon kah shtresat e varfëra të këtij vendi. Me fjalë të tjera, tendenca e varfërimit të kosovarëve nuk po ndalet, as nuk po zbutet. Përkundrazi është duke u thelluar dita-ditës. Sepse, edhe tani, në fillim të majit, kur shkuan 4 muaj të këtij viti, tregu i Kosovës dominohet qartësisht nga anarkia dhe kaosi, në veçanti në fushën e çmimeve.

Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, që po del në bazë të llogaritjeve, të jenë të tillë një numër i madh i tyre, nuk u ndalen për asnjë çast për të shfrytëzuar situatën, përqëndrimin shtetëror në gjendjen politike dhe mosangazhimin total, të autoriteteve në krye të shumë dikastereve kompetente, si pasojë e moskontrollit fare të tyre, për të kryer detyrat për çka marrin pagë nga taksapaguesit kosovarë, për të parandaluar, ose së paku për të kontrolluar shfrenimin e egër të çmimeve të të gjitha produkteve.

Në Kosovë nuk vlenë fare paralajmërimi i Bankës Botërore se “çmimet e mallrave këtë vit pritet të regjistrojnë rënien më të madhe që nga pandemia COVID-19”, se “rënia e çmimeve pritet të sjellë pak lehtësim për afro 350 milionë njerëz në mbarë botën që përballen me pasiguri ushqimore”.

Ta rikujtojmë: Sipas Bankës Botërore, në përgjithësi këtë vit çmimet e mallrave pritet të bien me 21 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa çmimet e energjisë parashikohet të bien 26 për qind. Por në Kosovë, jo vetëm që nuk ka ndonjë ulje, por ka ngritje të produkteve ushqimore, ndërsa çmimi i energjisë elektrike, brenda 13 muajsh është ngritur 2 herë. Herën e fundit në mujain e kaluar, madje 15 për qind. Dhe çmimet e larta, përtej çdo logjike të tregut, të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore, si ato nga importi, po kështu edhe ato vendase, kanë çrregulluar në masë të madhe mirëqenien e punëtorëve të Kosovës dhe po kërcënojnë ta ç’ekuilibrojnë edhe më shumë jetën modeste të tyre.

Sipas të dhënave të një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), nga vlerësimet e qytetarëve del se rreziku kryesor për sigurinë kombëtare në vend vjen nga rritja e çmimeve të mallrave, duke e lënë si rrezik më pak të përfillshëm për sigurinë kombëtare të vendit trafikimin e drogës, krizën energjetike dhe krizën ekonomike. Pastaj, pasojat e tjera nga rritja e egër e çmimeve vijojnë zingjir: varfëria e Kosovës vazhdon të rritet, sikundër dita ditës po rritët numri i familjeve që kërkojnë ndihmë sociale, numri i të papunëve, i të ikurve nga Kosova, vazhdon të vështirësohet jeta e mbi 140 mijë pensionistëve që kanë pensionin mujor gjithsej 100 euro etj.

Ndërsa, siç u njoftua këto ditë nga mediet, Kosova është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, në këtë vit janë saktësisht 15.6 mijë dollarë, Shqipëria, që FMN-ja në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në këtë vit e ka 5.600 dolarë e rendit të fundit Kosovën, ndërsa Shqipërinë me 7 mijë dollarë, si të parafundit.

Shtresat e varfëra të vendit, për shkak të ardhurave nën çdo minimum dhe pakrahasimisht më të vogëlat në rajon dhe përtej, dhe çmimeve enorme të larta, të cilat konkurrojnë çmimet e shumë produkteve të vendeve që kanë paga dhjetëfish më të larta se në Republikën tonë, po e vuan realisht ngritjen e egër të çmimeve dhe të ardhurave minimaliste, fitimet e vogla nga puna e tyre.

Ndërsa Ligji i ri për Pagat, që në Kosovë ka hyrë në fuqi në fillim të shkurtit të këtij viti, tani për tani, siç po shihet, u ka sjellë rritje pagash vetëm punonjësve të sektorit publik. Ndërsa, ata të sektorit privat, shumica e tyre, sidomos ata të angazhuar në ndërtimtari, në kompanitë e sigurimeve dhe të pastrimit, në gastronomi e hoteleri dhe në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, vazhdojnë akoma të kompenzohen për punën e tyre minimalisht.

Paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro. Sipas një studimi të bërë në vitin 2022 nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me këtë shumë paguhen rreth 105 mijë punonjës. Më kot, Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor të vitit të kaluar, ka votuar në parim Projektligjin, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht në 264 euro bruto apo 250 euro neto. Ky Projektligj nuk është miratuar ende nga deputetët dhe tani është shumë e diskutueshme se a është e pranueshme edhe parashikimi i rritjes me këtë Projektligj, kur dihet ngritja në stratosferë e çmimeve dhe shkalla e lartë e inflacionit.

Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat), Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë. Paga mesatare në Kosovë në vitin 2021 ka qenë 484 euro.

Duhet konstatuar se anarkia e çmimeve rifilloi që në ditët e para të 2023-tës, për të mos u ndalur asnjë ditë deri më sot. Më konkretisht, ngritje e re e vrullshme çmimesh ka nisë që në ditën e parë pas festës së Vitit të Ri, kur qytetarët e Kosovës u përballen me çmime të reja të ngritura befasisht të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve elementare ushqimore. Polemikat, zënkat dhe ngritjet e zërit ndërmjet subjekteve politike opozitare dhe përfaqësuesve të pushtetit aktual për të gjetur dhe për të shpallur fajtorët për gjendjen e rëndë sociale të vendit, ngjajnë në lojëra fëmijësh. Ata fajësojnë njëri tjetrin, por nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje për të qenë. Sikur sillen në qorrsokak.

“Rritja e çmimeve që ka ndodhur gjatë dy viteve është diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, thonë njohësit opozitar të zhvillimeve në tregun kosovar.

Sipas Lumir Abdixhikut, lider i LDK-së opozitare,“përgjatë dy viteve të çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50 për qind. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka pasur asnjëherë. Ndërsa, Avdullah Hoti, ish-kryeministër dhe një vrojtues i zellshëm opozitar i zhvillimeve ekonomike në një status në facebook në Ditën Ndërkiombëtare të Punëtorëve ka vënë në dukje se “pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3% krahasuar me vitin paraprak. Se Ligji i pagave në sektorin publik më shumë krijoi probleme se që zgjidhi. Sipas Hotit, për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese.

“Ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti. Nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet”, ka thënë Hoti, duke shtuar se në anën tjetër, pa asnjë konsideratë për gjendjen ekonomike, u dyfishua tatimi në pronë për shumë qytetarë dhe biznese, si dhe dy herë u shtrenjtua energjia elektrike.

Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka fajësuar sërish këto ditë drejtpërdrejt LDK-në për rritjen e çmimeve të produkteve elementare, për shkakun , siç ka thënë ai, se “e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore, dhe me këtë e kanë bërë të pamundshme zbatimin e këtij ligji.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, me anë të një shkrimi në Facebook, me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve ka deklaruar se “është mbështetur rritja e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat”. “Kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka shkruar Kurti. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë bërë 6,316 inspektime nëpër biznese, me qëllim të monitorimit për respektim të Ligjit të Punës.

Megjithë këto kontradikta, kundërshtime dhe zënka, trendi i shpërthimit të egër të çmimeve ka vazhduar deri më sot, ndërsa, pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike janë paralajmëruar ngritje të reja çmimesh edhe të shumë produkteve të tjera nga prodhuesit e vendit, për t’i çuar kostot e tyre në nivele statosferike. Në fakt, shpërthimi kaq i egër i çmimeve në Kosovë i të gjitha produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumica e kosovarëve të varfër nuk u ndalën praktikisht në asnjë muaj në këtë vit, përkundër një mori premtimesh qeveritare se do të vrojtohen domosdo ecuritë e çmimeve sivjet dhe përkundër miratimit edhe në Kuvendin e Kosovës të disa dokumenteve (rezoluta dhe ligje) nga Qeveria për frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe pas paralajmërimeve të shumta zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.

Siç po shihet institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, u dëshmuan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Shifrat e çmimeve të reja po dëshmojnë se dokumentet deri në nivel të ligjit, të miratuara nga Qeveria dhe në Kuvendin e Kosovës, që synonin adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në një farë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet elementare ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e këtyre produkteve, tani po del të jenë vetëm letra, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra. Kjo është gjendja reale sociale në Kosovë. Dominojnë të varfërit numerikisht. Ka boll shumë edhe banorë që jetojnë në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa, sipas disa të dhënave, 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë, ndërkohë që Kosova në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike nuk po arrinë ta zbus varfërinë. Mund të jetë një nga shkaqet edhe situata e rëndë politike e ndikuar ndjeshëm nga raportet e pazgjidhura me Serbinë dhe përqëndrimi më I madhë i politikës dhe krerëve të shtetit në këtë plan, që domosdo i kanë margjinalizuar ndjeshëm proceset ekonomike, dhe në këtë kontekst, edhe aktivitetin e shumë dikastereve përkatëse dhe kompetente për t’u përqëndruar më shumë te ecuritë ekonomike dhe sociale. Ka shumë gjasë që situata politike e ndërlikuar nga raportet me fqinjin verior, po shërben jo pak në apatinë dhe inferioritetin e dikasterëve dhe krerëve të tyre, tek të cilat politika nuk do të duhej të kishte ndikim edhe aq të madh. Thjeshtë këto dikastere dhe krerët e tyre, po e kamuflojnë paafësinë e tyre, dembellëkun e skajshëm dhe vendnumërimin në zhvillimet ekonomike, pra edhe të zbutjes së varfërisë edhe me faktin se ata ka kohë, praktikisht qëkur është intensifikuar aktiviteti politik dhe bisedimet në nivel më të lartë Kosovë-Serbi, sikur nuk ka kush as t’i kontrollojë, as t’i orientojë për ta kryer si duhet punën e tyre. Dhe, Kosova vazhdon të mbetët më e varfëra në rajon. /Buletini Ekonomik