Sipas zyrtarëve të KEK-ut, punët për remontin kapital të A5-shit, që ka kapacitetin diku rreth 125-130 megavatë-orë, praktikisht janë përmbyllur. Tani, në këto dy-tre ditët e para të majit, është duke e punuar në verifikimin e funksionimit të gypave të shumtë në kalldajë, dhe pastaj të nisë puna provuese e rëndomtë pas riparimeve. Derisa të ndërlidhet me sistemin elektroenergjetik të Kosovës, pas riaktivizimit të këtij blloku, nevojiten edhe 72 orë punë verifikuese dhe kohë e nevojshme për t’u mbushur me avull kalldaja e A5-shit të riparuar. Dhe, pastaj aktivizohet turbina, e cila po ashtu përrreth 3 muaj ka qenë në riparim kapital, për të rifilluar prodhimi i rregulltë i energjisë elektrike nga kjo njësi prodhuese, e cila që nga korriku i vitit të kaluar, ka qenë jashtë operimit.
Buletini Ekonomik
Punët rreth remontit kapital të bllokut A5, të termocentraleve Kosova A, (të bëra shumë diskutueshme për vonesa të mëdha, sidomos pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, për shkak të dyshimit për korrupsion), më në fund janë fare afër përfundimit.
Sipas zyrtarëve të KEK-ut, punët për remontin kapital të kësaj njësie prodhuese, që ka kapacitetin diku rreth 125-130 megavatë-orë, praktikisht janë përmbyllur. Tani, në këto dy-tre ditët e para të majit, është duke e punuar në verifikimin e funksionimit të gypave të shumtë në kalldajë, dhe pastaj të nisë puna provuese e rëndomtë pas riparimeve. Derisa të ndërlidhet me sistemin elektroenergjetik të Kosovës, pas riaktivizimit të këtij blloku, nevojiten edhe 72 orë punë tjera verifikuese dhe kohë e nevojshme për t’u mbushur me avull kalldaja e A5-shit të riparuar. Dhe, pastaj aktivizohet turbina, e cila po ashtu përrreth 3 muaj ka qenë në riparim kapital, për të rifilluar prodhimi i rregullt i energjisë elektrike nga kjo njësi prodhuese, e cila që nga korriku i vitit të kaluar, ka qenë jashtë operimit.
“Është çështje ditësh riaktivizimi i A5-shit. Ekipet e mirëmbajtjes dhe të ekspertëve të KEK-ut po verifikojnë të gjitha punët e riparuara, për të parë a është gjithçka në rregull dhe sipas parashikimeve dhe standardeve të riparimeve”, ka thënë të mërkurën për Buletinin Ekonomik, Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.
Sipas tij, është e mundshme, që sonte gjatë orëve të natës, ose më së largu nesër-pasnesër do të nisë riaktivizimi dhe pastaj pas 72 orësh t’u ribashkohet blloqeve të tjera të sistemit elektroenergjetik edhe kjo njësi prodhuese, tashmë goxha e shumëpërfolur. Punët rreth remontit kapital të bllokut A5, përkatësisht riparimit më detajuar të turbinës, (në dhjetor të vitit të kaluar, KEK kishte lidhur kontratë për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të njësisë A5), që nisën që në janar të këtij viti, pak a shumë, janë realizuar sipas dinamikës së planifikuar dhe nuk pati ndonjë vështirësi të veçantë gjatë riparimit. Janë kryer të gjitha punët riparuese të turbinës, thuaja sipas parashikimeve.
Ndërsa, punët rreth riparimit kapital të kalldajës (kazanit) praktikisht, ishin bërë më të ndërlikuara që në fillimin e shpalljes së konkurseve për të gjetur punëkryes të besueshëm dhe të verifikuar për ta bërë punën e riparimit. Pati shumë vështirësi për ta përzgjedhur një punëkryes që në fillim, dhe shi kur më në fund u mendua se Korporata Energjetike e Kosovës e gjeti punëkryesin edhe për riparimin e kalldajës së A5, që ishte Grupi i Operatorëve “Litëin SA & Bujar B. Shala B.I.”, me të cilin nënshkroi edhe një kontratë për riparimin emergjent të tij në vlerë 3 milionë e 495 euro është nënshkruar, punëkryesi dështoi të përmbush parashikimet kontraktuese dhe ende pa filluar punën, KEK-u shkëputi kontratën.
Siç u bë e njohur atherë, kohëzgjatja e kontratës është nga 25 janari deri më 31 mars 2023. Dhe, pas largimit të kontraktuesit “Litëin SA & Bujar B. Shala B.I.”, në KEK vendosën që riparimin emergjent të kalldajës të A5-shit ta bëjnë me forca vetanake, pra me ekipet e mirëmbajtjes dhe të inxhinierëve të KEK-ut. Punonjësit e KEK-ut, tashmë kanë përfunduar praktikisht riparimin e kalldajës, zëvendësimin e shumë gypave dhe të stabilimenteve të tjera, dhe aktualisht po bëhet verifikimi i punëve riparuese.
Në KEK këmbëngulin se për kontratën e arritur dhe tashmë të shumëpërfolur (tenderi është nënshkruar përmes procedurës së negocuar për shkak të urgjencës së kërkuar, por me çmimin më të ulët si kriter për dhënien e kontratës, kontrata është nënshkruar 9 ditë që nga shpallja e tenderit), për shkak të shkëputjës së kontratës si rrjedhojë e mos përmbushjës së kërkesave kontraktuese nga punëkryesi, nuk është paguar nga KEK-a asnjë cent i vetëm.
Siç dihet përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues, andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar. Për remontin e njësisë A5, KEK-u kishte zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë.
KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku, i cili është jashtë funksionit por që vetëm me hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë. Dhe, remonti kapital i kësaj njësie të Kosovës A, pas shtyrjes së disa afateve, ka filluar në fillim të këtij viti. Dhe që në nismë, nga inxhinierët dhe zyrtarë të KEK-ut është thënë se punët rreth remontit kapital të bllokut A5 të termocentraleve Kosova A, do të zgjasin diku rreth tre muaj.
Funksionalizimi i A5-shit, parashihej të bëhej fillimisht më 1 prill dhe pastaj ky afat u përcaktua të jetë mesi i prillit. Ndërsa tani, zyrtarët e KEK-ut janë të bindur se nuk do të ketë më shtyrje. Aktivizimi i A5-shit është çështje ditësh, kanë thënë sot ata dhe ky riaktivizim do të bëhet pas një periudhe të gjatë të “pushimit” të kushtëzuar, për shkak të zvarritjeve me muaj të tërë të fillimit të remontit kapital. Ndërsa. siç ka transmetuar Buletini Ekonomik më 5 dhjetor të vitit të kaluar, KEK kishte lidhur kontratë për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të këtij blloku.
Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka shpallur dy tenderë dhe vetëm pas hapjes së tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë. Sic ka njoftuar edhe më herët Buletini Ekonomik, pas procedurave të domosdoshme të negociatave me disa operatorë të kualifikuar ndërkombëtarë për remont të turbinës, gjeneratorit dhe të kalldajës së njësisë A5 të termocentraleve Kosova A, dhe përfundimit të këtyre procedurave, më 5 dhjetor 2022 është nënshkruar kontrata me punëkryesin, i cili ka filluar punët rreth remontit në fillim të muajit të parë të këtij viti për remontin e përgjithshëm të turbinës dhe të gjeneratorit.
Në KEK kanë njoftuar se punëkryesi i përzgjedhur për riparimin kapital të turbinës, Monting Energjetika, një kompani vendore së bashku me punonjës dhe ekspertë të Gjeneral Electrikut të mirënjohur dhe CERB-it nga Bullgaria dhe disa kontraktorë të tjerë, nuk kanë pasur ndonjë vështirësi gjatë punëve remontuese, që janë zhvilluar nga 5 janari 2023 deri në fund të prillit. Por, zhvillimet rreth remontit të këtij blloku që në fillim (që më 19 korrik 2022, kur A5 u tërhoq nga prodhimi me qëllim që të bëhet rehabilitimi i përgjithshëm i tij) dolën më të ndërlikuara se sa mendoheshin, ndërkohë që insistimi, por as angazhimi në KEK për të gjetur një punëkryes serioz dhe të dëshmuar ndërkombëtar për ta bërë remontin kapital në A5, nuk ishte ai i duhuri.
Është përfolur që në fillim se ka pasur edhe mosmarrëveshje evidente brenda stafit dhe organeve vendimmarrëse në KEK rreth rivitalizimit të kësaj njësie prodhuese. Disa inxhinierë të Korpotatës Energjetike të Kosovës kanë insistuar që fillimisht të hapet blloku me forca vetanake, për të parë saktësisht ku është defekti dhe çka ekzaktësisht pastaj duhet të rehabilitohet, ndërkohë që ka dominuar mendimi i të tjerëve se të gjitha punët (edhe hapjen e turbinës edhe kalldajës) t’i bëjë punëkryesi që do të angazohej në punët e remontit kapital. Dhe problemet lindën akoma pa ia nisur punëve.
Një kohë të gjatë, përkatësisht deri në muajin e fundit të 2022-tës, nuk u gjend një punëkryes ndërkombëtar që do të bënte këtë punë. Në këtë mënyrë, kjo njësi prodhuese, me kapacitet rreth 130 megavatë-orë energji elektrike, ishte jashtë funksionit që nga 19 korriku i viti 2022.
Në fakt, remonti kapital i bllokut A5, në bazë të planifikimeve të mëhershme që bëhen në KEK për mirëmbajtjen e stabilimenteve dhe për rehabilitimin e tyre, ishte paraparë të bëhet që në muajt e verës të vitit 2021. Mirëpo, meqenëse më 2021 Qeveria aktuale kishte shpërfaqur edhe publikisht synimin për t’i rindërtuar tërësisht tri blloqet e termocentraleve “Kosova A” (bllokun A3, A4 dhe A5), pas analizave të ekipeve profesioniste të KEK-ut dhe sugjerimeve të ekspertëve, që meqenëse është paraparë si vizion rindërtimi i Kosovës A, pra edhe i bllokut A5, ishte vendosur me qëllim të racionalizimit të mjeteve financiare, që A5-shi të presë rindërtimin. Ishte rezonuar atëbotë në qarqet vendimmarrëse të KEK-ut se pse të shpenzohen para jo të pakta për remont kapital të A5-shit, kur Qeveria ka parashikuar rindërtimin e tërësishëm të këtij blloku. Thjesht, pse të shpenzohen dy herë para të mëdha për një qëllim. Dhe, meqenëse parashikimi i Qeverisë për të rindërtuar Kosovën A, më 2021 thuaja është harruar tashmë, edhe rindërtimi i A5-shit si vizion ishte anashkaluar si parashikim.
Në KEK kushtimisht iu rikthyen nevojës së domosdoshme për ta bërë remontin kapital në këtë njësi prodhuese në vitin 2022. Aq më parë, kur në këtë bllok dëgjohej një zhurmë jo e rëndomtë dhe që shqetësonte ekspertët dhe inxhinierët e KEK-ut. Dhe që në fillim të verës së këtij viti, në KEK tani kishin shpallur tender publik për të gjetur punëkryesin më të favorshëm.
Por, pse u vonua kaq shumë nisja e punëve për remontin e këtij blloku në këtë vit, kur Kosovës po i nevojitej tepër shumë sasia e energjisë elektrike dhe kur dihet se ky bllok është tërhequr nga prodhimi që më 19 korrik?
Inxhinierët në KEK, edhe ata me përvojë më të paktë, por edhe veteranët tashmë, kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik shkaqet, sipas tyre, reale, për vonesat e nisjes së punëve për rivitalizimin e A5-shit. Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti.
Ftesa e korrigjuar publike për remontin e A5-shit: “Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të Bllokut A5”, siç titullohej tenderi, kishte paraparë në një vend riparimin e turbinës dhe kalldajës (kazanit). Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-shit, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro. Njohësit e zhvillimeve energjetike, mendojnë se mbase fakti që në ftesën publike janë kërkuar punëkryes që do të bënin remontin e tërësishëm të këtij blloku, pra edhe remontin e turbinës, edhe të kalldajës dhe të stabilimenteve të tjera më pak komplekse, ka ndikuar në mosinteresimin e punëkryesve për të shfaqur interesim për t’u angazhuar në këtë remont.
Dihet, remonti kapital në stabilimentet e termocentraleve të Kosovës, si në Kosovën A, ashtu edhe në Kosovën B, iu është besuar deri më tash ekskluzivisht kompanive të jashtme, më së shumti atyre polake që kanë përvojë të madhe në stabilimentet prodhuese të rrymës në bazë të qymyrit, por edhe kompanive të tjera të shumta nga bota, që kanë reputacion, dëshmi dhe besueshmëri që punën e bëjnë siç duhet. Kështu, KEK-u në njëfarë mënyre edhe i kushtëzuar, më 8 korrik 2022, kishte njoftuar për anulimin e këtij tenderi, thjesht për shkakun se siç është thënë “për riparimin e njësisë A5 nuk është pranuar asnjë ofertë”. Dhe, për të shpejtuar gjetjen e një punëkryesi të besueshëm dhe të dëshmuar për remontin e detajuar të A5-shit, në shtator KEK-u ka ndarë punët, për remontin e turbinës kishte vendosur të kërkojë punëkryes të veçantë, ndërsa për remontin e kalldajës, punëkryes tjetër të specializuar. Dhe, për remontin e turbinës dhe kalldajës veç e veç ka dërguar nga 5-6 ftesa te punëkryesit më me reputacion, të njohur tashmë për këto punë anembanë Europës dhe më larg. Kohë të gjatë u pritën ofertat e tyre. Sidoqoftë, më në fund, po finalizohet edhe riparimi i shumëpritur i këtij blloku.
Këto ditë, siç u tha më lartë, do të nisë operimi i tij dhe Kosova do të ketë plus 130 megavatë energji elektrike. Sipas inxhinierëve të KEK-ut, që i njohin mirë edhe punët teknike dhe funksionimin detaj të stabilimenteve komplekse të Korporatës Energjetike të Kosovës, rifreskimi i bllokut A5 në nivelin e remontit kapital do të sigurojë funksionimin e mirë dhe pa telashe të tij për 4-5 vjet të mira e më shumë. Dhe ky fakt do të thotë se në rrethana normale dhe pa ndonjë defekt teknik të papritur, Kosova për kaq vite do të ketë 130 megavatë plus nga impiantet vendore. Nga punëkryesi i riparimit të turbinës, sipas kontratës, ka garanci për mbi 100 mijë orë pune të këtij blloku. /Buletini Ekonomik/