Gjatë ditës së djeshme, është mbajtur një takim në mes të Autoritetit të Konkurrencës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, ku është diskutuar për bashkëpunimin mes këtyre dy institucioneve me qëllim të kordinimit të politikave legjislative.
Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja, me këtë rast ka potencuar se BQK-ja ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës, gjithnjë në frymën e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.
Gjatë këtij takimi, theks të veçantë iu dha edhe praktikës jo të mirë që tashmë disa banka janë duke e bërë në Kosovë, siç janë mbylljet e xhirollogarive të disa institucioneve financiare jobankare nga ana e bankave në vend.
Nurboja ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që t’i shikojë rastet, ku ka ankesa nga institucionet financiare jobankare për kufizimin e aktivitetit ekonomik, që po iu shkaktohet nga disa banka.
Sipas tij, mbyllja e xhirollogarive në mënyrë të njëanshme të institucioneve financiare jobankare nga ana e disa bankave nuk është praktikë e mirë, e sidomos kur nuk ka arsyetime të mjaftueshme.
Ndërkohë, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku –Isufi, theksoi se objektivi kryesor i politikës së konkurrencës është ruajtja e procesit konkurrues dhe nxitja e konkurrencës efektive në treg.
Sipas saj, ruajtja ose nxitja e konkurrencës efektive është e domosdoshme, duke pasur parasysh kufizimet që sektori privat apo ai shtetëror/publik mund t’i bëjnë konkurrencës.
Siç thotë Binaku-Isufi, ligji i konkurrencës në Kosovë ndalon marrëveshjet për fiksimin e çmimit, abuzimin me fuqinë dominuese, si dhe përqendrimet që rrezikojnë të krijojnë një pozitë dominuese në treg. /Buletini Ekonomik/