Vendet europiane me transportin publik më të lirë dhe më të aksesueshëm

Një renditje e re ka vlerësuar vende të ndryshme europiane dhe kryeqytetet e tyre, për koston, thjeshtësinë dhe aksesin e transportit publik.

Raporti i ri i Greenpeace zbulon gjendjen e transportit publik në 30 vende europiane.

Grupi i vlerësoi vendet bazuar në katër kritere: thjeshtësia e sistemeve të biletave, përballueshmëria e biletave afatgjata, zbritjet për individët me disavantazhe dhe normat e TVSH-së.

Reklama e sponzorizuar

Raporti shqyrtoi gjithashtu kryeqytetet, duke i vlerësuar ato bazuar në të njëjtat kategori.

Luksemburgu, Malta, Austria, Gjermania, Qiproja dhe Spanja dolën në krye, me rezultate të larta për lehtësi në përdorimin e biletave dhe zbritje çmimesh.

Talini në Estoni, Luksemburgu dhe Valeta në Maltë, dolën në tre vendet e para për renditjen e qyteteve.

Luksemburg

Greqia, Kroacia dhe Bullgaria ishin në fund të listës. Bullgaria nuk shënoi pikë në asnjë nga katër kategoritë.

Ndërsa nga qytetet, Amsterdami në Holandë, Londra në Mbretërinë e Bashkuar dhe Dublini në Irlandë, morën vlerësimin më të keq për koston dhe aksesin.

Ku kushton më pak dhe më shumë transporti publik në Europë?

Praga, Bratislava, Roma dhe Vjena ofrojnë biletat më të lira mujore ose vjetore për momentin. Në këto vende, kostoja është rreth 0,85 € në ditë ose më pak.

Madridi gjithashtu ka hyrë në listë, por vetëm përkohësisht, duke ofruar zbritje 60% në biletat mujore, deri më 30 qershor të këtij viti.

Spanjë

Spanja gjithashtu i ka bërë trenat rajonalë dhe të udhëtarëve falas për përdoruesit e shpeshtë, deri në fund të vitit 2023, megjithëse ka disa kufizime, duke përfshirë një maksimum prej katër udhëtimesh në ditë.

Qytetet më të shtrenjta në Europë ishin Londra, Dublini, Parisi dhe Amsterdami. Biletat këtu kushtojnë më shumë se 2,25 € në ditë.

A mundet që transporti publik falas t’i bindë njerëzit të mos përdorin makinat?

“Ne nuk mbrojmë haptazi transportin falas,” thotë Herwig Schuster, ekspert transporti për fushatën e Greenpeace Mobility for All.

“Ne gjithmonë themi se, transporti duhet të jetë i përballueshëm, por jo falas. Është e pranueshme nëse kjo bëhet në Luksemburg, i cili është një vend shumë i pasur.”

Në vend të kësaj, është më e lehtë dhe më e drejtë për shumicën e vendeve, që të synojnë një çmim ditor rreth 1 euro.

Por, në listë ka ende disa vende të jashtëzakonshme si Luksemburgu.

Talini ishte një nga qytetet e para, që e bëri transportin publik falas për banorët në vitin 2013 dhe kjo ka çuar në një rritje prej 1.2% të kërkesës.

Luksemburgu ishte vendi i parë europian, që i bëri biletat falas për udhëtarët dhe turistët e huaj. Megjithatë, nuk ka arritur të nxisë njerëzit, që të largohen nga makinat.

Greenpeace vëren se, kjo është ndoshta për shkak se më shumë se 200,000 persona udhëtojnë brenda dhe jashtë Luksemburgut, që do të thotë se ata ende do të duhet të blejnë një biletë për të shkuar në një vend fqinj.

Prandaj, shumica prej tyre, zgjedhin të përdorin makinat personale. Në vitin 2022, Malta u bë vendi i dytë i BE-së, që e bëri transportin publik falas.

Maltë

Por, nuk përfshihen të gjitha format e transportit – linjat e autobusëve ekspres dhe tragetet janë të përjashtuara.

Përdoruesit e transportit publik ende duhet të blejnë një kartë (Tallinja ticket card) e cila lejon udhëtimin falas për një tarifë 15 €.

Kjo do të thotë se transporti publik i përballueshëm i Maltës, është më pak i aksesueshëm për jorezidentët.

Çfarë mund të inkurajojë më shumë njerëz të përdorin transportin publik?

Greenpeace thotë se, ulja e kostos së transportit publik është një nga mënyrat “më të lehta dhe më të shpejta”, për të zhvendosur njerëzit nga përdorimi i makinatve, në përdorimin e autobusëve dhe trenave.

Por, kostoja e transportit publik duhet të jetë më e ulët se ajo e drejtimit të një makine, përndryshe njerëzit nuk do ta përdorin atë.

Raporti vëren se shumë vende dhe qytete, e kanë bërë transportin publik më të lirë në javët, muajt dhe vitet e fundit, por ka ende punë për të bërë.

“Në perspektivën afatshkurtër, financimi është një problem në shumicën e vendeve,” thotë Schuster.

“Nëse e bëni transportin publik më të lirë, atëherë sigurisht që kostot, duhet të mbulohen nga taksapaguesit – të paktën në afat të shkurtër.”

Megjithatë, ka “potencial të madh”, për të zhvendosur para nga subvencionet e karburanteve fosile, ose për të vendosur taksa mbi biletat e linjave ajrore dhe vajgurin, për të mbuluar kostot e çmimeve të reduktuara të biletave.

Një nga mënyrat më të thjeshta për të ulur koston, do të ishte heqja e TVSH-së. Disa vende të Europës Lindore kanë norma deri në 20%.

Kombinimi i kostos së ulët, infrastrukturës së mirë dhe një sistemi biletash i thjeshtë për t’u kuptuar, mund të jetë mënyra më e mirë për të nxitur më shumë njerëz të përdorin transportin publik. /Euronews/