Bankat “pa mbikëqyrje”: BQK pa ndonjë rregullore specifike që rregullon gjobat e bankave ndaj klientëve

Bankat komerciale në Kosovë janë të lira që t’i përcaktojnë vet të gjitha gjobat e mundshme ndaj klientëve të tyre, po njësoj sikurse janë të lira t’i përcaktojnë edhe çmimet dhe tarifat e produkteve të tyre.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që njëherit është edhe rregullatori kryesor i tyre, thotë se nuk kanë asnjë rregullativë specifike që i rregullon ndëshkimet e mundshme të bankave ndaj konsumatorëve të tyre.

Hasan Preteni është njëri prej të gjobiturve nga banka NLB së fundmi, të cilit për vetëm një borxh prej 0.42 eurove, i është faturuar një gjobë prej 5 eurove nga banka në fjalë dhe i është bllokuar kartela bankare pa paralajmërim.

Reklama e sponzorizuar

Sipas mesazhit që i është dërguar atij nga ana e bankës NLB, kjo gjobë i është shqiptuar atij në emër të vonesës së pagesës së borxhit prej 0.42 eurove për gjashtëmbëdhjetë ditë në kartelën Master Card Credit.

Preteni ka theksuar për Buletinin Ekonomik që kjo gjobë nga banka i është shqiptuar pa kurrfarë paralajmërimi paraprak, shembull që nëse nuk e paguan të njëjtin, do të mund të gjobitet në këtë formë.

“Edhe një mashtrim:: “ vonesa” nuk është 16 ditë, sepse barazimi ndodhë me datë 15 të çdo muaji. Kjo llogari nuk është aktive dhe gjobitja ndodhi pa paralajmërim nga banka!

Buletini Ekonomik i është drejtuar edhe bankës NLB për të marrë ndonjë përgjigjë nga ana e tyre se në çfarë rregulloreje bazohen kur vjen puna për shqiptimin e gjobave të tilla, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kanë pohuar se nuk ka ndonjë rregullativë specifike që rregullon gjobat që aplikojnë bankat komerciale. Sipas tyre, si çmimet, si tarifat për produktet dhe shërbimet e tyre, si ndëshkimet e mundshme, bankat janë të lira t’i vendosin individualisht bazuar në politikat e tyre afariste.

Nga BQK-ja kanë ofruar për Buletinin Ekonomik të paktën tri rregullore të përafërta që mund t’i përcaktojnë disa kërkesa, siç janë: Rregullorja për kamatëvonesën e instrumenteve kreditore, e cila e përcakton procedurën që do të ndiqet nga institucionet financiare kredi-dhënëse për të ngarkuar kamatëvonesën si dhe përcakton metodën për caktimin dhe llogaritjen e shumës së kamatëvonesës së ngarkuar ndaj instrumenteve kreditore të cilat janë në vonesë; pastaj Rregullorja për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje, që kërkon nga bankat dhe degët e bankave të huaja të informojnë klientët për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, përfshirë këtu çdo shpenzim apo ndëshkim (dënim) të mundshëm në të ardhmen dhe kushtet e aplikimit të tyre, si dhe rreziqet e shoqëruara me marrjen e një produkti kreditor. Përcaktim të ngjashëm e njëjta rregullore ka edhe për rastet e kontratave të depozitës.

Gjithashtu, ata kanë dërguar edhe Rregulloren për instrumentet e pagesave elektronike, e cila rregullon edhe standardet e transparencës dhe mbrojtjen e klientit të marrëdhënieve për lëshimin dhe përdorimin e instrumenteve të pagesave elektronike, ku specifikohen kushtet të cilat duhet t’i ofrohen klientëve.

Ndërkohë, në pyetjet se a ka pranuar BQK-ja ndonjëherë ankesa nga klientët lidhur me këto gjoba që po iu shqiptohen nga bankat, ata thanë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë. /Buletini Ekonomik/