Mbi 500 banorë ose rreth 150 konsumatorë të fshatrave Abri e Poshtme dhe e Epërme tashmë kanë rrjet të ri elektrik, falë planit investiv të KEDS-it për këto dy fshatra.
Ky projekt përfshin rrjetin elektrik të tensionit të mesëm dhe atij të ulët. Rreth 200 shtylla të reja të betonit, 3 transformatorë të rinj dhe asete tjera energjetike kanë ndryshuar pamjen e dy fshatrave të Drenicës.
Violeta Jashanica-Selimi, inxhiniere në KEDS dhe mbikëqyrëse e këtij projekti, thotë se banorët e këtyre fshatrave tashmë janë kyçur në rrjetin e ri elektrik dhe së shpejti do të bëhet edhe heqja e shtyllave të vjetra.
“Me anë të këtij investimi, përveçqë kemi instaluar një rrjet të ri elektrik për konsumatorët tanë, duke u siguruar furnizim të cilësisë së lartë me energji elektrike, kemi eliminuar edhe rreziqet e mundshme që vinin nga rrjeti i vjetër”, thotë ajo.
Në kuadër të këtij plani investiv, KEDS-i është në përfundim e sipër edhe të disa projekteve tjera në atë zonë të Drenicës, si në fshatrat Rezallë dhe Likovc.