Kosova e vetmja në botë pa një Qendër Protokollare të shtetit!

Asnjëri nga kryeparlamentarët e deritashëm, dhe asnjëra nga qeveritë e Kosovës, nuk arriti ta përfundojë së ndërtuari Qendrën Protokolare të Kosovës, edhe përkundër faktit se Kosova, institucionet e saj, kanë pasur mundësi reale financiare për të finalizuar pa asnjë vështirësi këtë projekt. Objekti aktual i mbetur në gjysmë të rrugës, sipas njohësve të rrethanave, edhe në rast të revidimit të projektit, nuk do të kushtonte aq shumë para, sa të përkeqësonte edhe aq gjendjen financiare të Republikës. Kosova, edhe pse është e varfër financiarisht, ka para të mjaftueshme për ta ndërtuar një këso qendreje, por edhe të një numri projektesh infrastrukturore, të domosdoshme për funksionim normal të shtetit.

Mehmet GJATA

Kosova ka nevojë të madhe, të domosdoshme dhe urgjente për një hapësirë, ambient pritjeje dhe akomodimi për zyrtarët e shteteve të tjera, duke filluar nga presidentët, kryeministrat dhe ministrat, delegacione të ndryshme, por edhe vizitorë, se paku deri tash, nga diplomacia e botës. Dhe, kjo ide kushtimisht e trajtuar sa e sa herë nga medie kosovare në këto 23 vjet të pasluftës, ndërsa sot e riaktualizuar nga Buletini Ekonomik, nuk është që nuk ka ekzistuar që moti, por sot e kësaj dite nuk u realizua se nuk u realizua, nuk u bë se nuk u bë, edhe pse rreth 19 vjet më parë, madje, nisi së ndërtuari, një objekt i tillë dhe i emërtuar që në nismë të idesë si Qendra Administrativo Protokollare e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Më saktësisht, sivjet janë bërë mbi 18 vjet qëkur ishte vënë gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Administrativo Protokollare në parkun e Gërmisë. Siç shihet, ishte zgjedhur edhe vendi, padyshim ndër më të mirët për në rrethinat e kryeqytetit, në një ambient ndër më atraktivët dhe mrekullisht joshës në luginën mes dy kodrave plotë gjelbërim dhe drunjë hijerëndë, shumë llojësh dhe që ia shtojnë domosdo hijeshin këtij ambienti dhe e bëjnë të dëshirueshëm jo vetëm për mysafirët. Vendi ku kishte nisur të ngritet Qendra Administrative Protokolare, më saktësisht gjendet mu te ish-ambientet, pak a shumë të ngjashme, që për vite të tëra i shërbyen Kosovës së përparshme, institucioneve të saj për të pritur mysafirë dhe për të mbajtur mbledhje të shpeshta me përmbajtje të ndryshme, të cilat gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin bombarduar nga NATO, për shkak të shfrytëzimit të këtyre ambienteve nga forca ushtarake dhe paramilitare serbe. Për të painformuarit, objektin e ri, të lënë në gjysmë të rrugës, nga hapësira tashmë e pastruar e ish-ambienteve të ngjashme të kohës së paraluftës e ndan vetëm rruga që shpie përpjetë malit të Gërmisë.

Edhe pak histori rreth projeksioneve dhe idesë për ta pasur një objekt të këtillë edhe Kosova, si shteti më i ri i kontinentit: Projekti ideor i Qendrës Protokolare të Kosovës ishte përmbyllur me 3 qershor të vitit 2004, kurse nisja e punëve për ndërtimin e këtij projekti është bërë më 18 mars të vitit 2005. Por, sado që për një kohë vazhduan ndërtimet, madje përfunduan thuaja se punët e vrazhda, papritmas thuaja u ndërprenë punimet, të cilat sot e kësaj ditë, qe 18 vjet, nuk vazhduan më. Objekti që nga ajo kohë ka mbetur i papërfunduar dhe si një relikt shumë dëbues për të gjithë ata që parakalojnë përditë përbri këtij objekti.

Me fjalë të tjera, ndërtesa e nisur për të qenë Qendra Protokollare e Kosovës në kohën e legjisaturës së Kuvendit, në krye të të cilit ishte Nexhat Daci tani duket si një gërmadhë, dhe shëmti në mes gjithë atij gjelbërimi, në të cilën defilojnë qentë endacakë, por edhe “të humburit” dhe të të dhënëve pas konsumit të drogës. Flitet nga vizitorë të Gërmisë se në shumë hapësira të kësaj “gërmadheje’ tani gjenden përplot shiringa e pajisje të të tjera të narkomanëve. Në vitin kur u përmbyllën praktikisht punët e vrazha, në vitet 2005- 2006, për këto punë Kuvendi i Kosovës kishte investuar rreth 2 milionë euro, para qind për qind të taksapaguaesve të kosovës.

Sipas zyrtarëve, që duan të mbesin anonim, në vitet në vazhdim, Kryesia e Kuvendit, nëpërmes linjës buxhetore të Buxhetit të Kosovës, për ndërtimin e kësaj Qendre, vazhdimisht për disa vjet, ka ndarë një shumë të caktuar mjetesh për të vazhduar punimet, por të cilat mjete janë shpenzuar për linja të tjera. Në ndërkohë, në disa vite në vazhdim, zyrtarë të ndryshëm të Kuvendit të Kosovës, në disa raste kishin deklaruar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet që të riaktualizojë projektin për ndërtimin e Qendrës Protokollare të Gërmisë. Sipas prononcimeve të tyre në medien e vendit, “projekti duhet të korrigjohet dhe nuk bëhet fjalë për probleme me çështje pronësore”.

Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, i pensionuar muaj më parë, në përgjigje me shkrim u ka thënë medieve, jo njëherë, se “Kuvendi është i interesuar që të riaktivizojë këtë projekt”, por, sipas tij, “projekti ka nevoje për korrigjim”, duke shtuar se ky fakt ka qenë një ndër arsyet e mbetjes në këtë gjendje të këtij projekti. Krasniqi për medie kishte deklaruar se ”Ka mjete buxhetore sa për ta mbajtur aktiv projektin, mirëpo për hapa të mëtejmë duhet të ndodhë korrigjimi i projektit aktual, i cili pastaj duhet të harmonizohet në paketë me procedurat e prokurimit”.

Një zyrtar i kabinetit të atëhershëm të Nexhat Dacit kishte deklaruar se “Ngecja e punëve rreth ndërtimit të Qendrës është shfrytëzuar për heqjen e kryetarit Nexhat Daci, dhe si e tillë është e turpshme. Për kundërshtimin e projektit ai ka fajësuar subjektin politik, nga radhët e së cilit ishte Nexhat Daci, sado që në programin zgjedhor të këtij subjekti ndër premtimet e mëdha ishte ndërtimi i tij. Sipas këtij zyrtari, Daci vetëm e ka zbatuar premtimin, por edhe marrëveshjen e dakorduar atëherë me presidentin Rugova, dhe me kryeministrin Bajram Rexhepi, që të ndërtohet Qendra Protokollare, për çka dhe janë ndarë mjetet”. Sipas këtij zyrtari, qendra me 4 mijë metra katror ishte paraparë të kushtojë 3.5 milionë euro. Tejkalimet eventuale të kësaj shume, që përflitet se kanë ndodhur, thjesht, sipas këtij zyrtari, janë keqpërdorime.

“Është fakt është se shpenzimet për rinovime dhe rimodelime të ndryshme e kanë kaluar shumën e parashikuar prej 3.5 milionësh dhe, sipas disa vlerësimeve, tani kjo shumë për finalizimin e projektit ka mbërri diku në 7-8 milionë, që do të thotë se ka pasur keqpërdorime”, por, sipas tij, “Daci është akuzuar për keqpërdorim pa pasur asnjë fakt”. Sido që të jetë, për ngecjen e punëve rreth ndërtimit të kësaj Qendreje, shumica e zyrtarëve ngurrojnë të flasin publikisht, dhe jo pak nga ta, edhe nëse flet për këtë investim që ka mbetur tash e dy decenie, thuaja se, në gjysmë të rrugës duan të mos u përmendet emri. Për këtë shkak përfaqësuesit e medieve nuk e kanë të lehtë ta trajtojnë këtë problem, që realisht është bërë shqetësues.

Një zyrtarë thotë se kundër këtij projekti atë kohë, në vazhdimsi, kanë qenë edhe shumë shoqata të ashtuquajtura ‘për mbrojtjen e Gërmisë”, por që në kundërshtimet e tyre kanë qenë të motivuara politikisht: “Në atë kohë janë krijuar shoqata të ndryshme kinse të shoqërisë civile, të emërtuara “Gërmia”, “ Ta mbrojmë Gërminë”, por ato tani kur objekti ka mbetur vetëm me pamje të “gërmadhës’ kanë heshtur dhe nuk ndihen më. Sot, askush nuk e mbron gërminë, të gjithë kanë heshtur, dhe nga kjo shihet se kanë qenë të nxitura politikisht nga forca të ndryshme të vendosjes për të arritur një qëllim politik, për ta penguar ndërtimin e Qendrës, dhe për ta lënë Kosovën si të vetmin shtet në rajon dhe në botë, pa një objekt të këtillë dhe aq të nevojshëm për shtetin”, tha ai.

Sipas një bashkëbiseduesi, shoqatat e shoqërisë civile anti-Qedrës Protokolare, madje kanë arritur ta krijojnë një proces gjyqësor, pasi patën paditur Kuvendin, ndërsa kundërshtonin që ky objekt të ndërtohet në Parkun e Gërmisë. Shumë aktivistë të shoqërsisë civile nuk kanë rreshtur së kërkuari rrënimin e këtij objekti, sado që ndërtimi i tij është pajisur me leje sipas kushteve të përcaktuara me ligjet e Kosovës.

Ndërkohë, edhe atëherë edhe tani vazhdojnë zërat e qytetarëve që flasin për shqetësimin që krijon mbetja në këtë gjendje e këtij projekti, “ Sa herë kaloj kah ajo që duhej të ishte Qendra Protokolare në Gërmi trishtohem me shkallën e marrëzisë dhe kotsisë në menaxhimin e parasë dhe resurseve publike – është fjala për miliona euro dhe per dëmtim katastrofal të mjedisit me gjendjen në të cilën është lënë objekti. Gjendja e tanishme e objektit eshte ofendim për inteligjencën tonë kolektive. Eshtë edhe rrezik; vatër infektimi, droge, prostitucioni – në oazen e vetme te gjelbrimit dhe në mushkëritë e Prishtinës. Elita e Kosovës çdo ditë kalon këndej – si nuk e shohin? Si nuk ju pengon? Për cfarë inati, për çfarë motivi, për çfarë interesi ka të drejtë dikush ta bëjë këtë që po bëhet tashmë sa vite me këtë objekt?

Prandaj, Qeveria urgjentisht duhet të vendosë një destinim për objektin – destinim që do të ishte i përshtatshëm për zonën e Gërmisë”, shprehet në shqetësimin e tij Xhavit Rexhaj. Ai ka edhe propozime konkrete që pos destinimit original si Qendër Protokolare, institucionet tona vendimmarrëse mund ta shndërrojnë këtë objekt në të ardhmen.

Sipas tij, “Çdo formë e zgjidhjes se kësaj situate është më e mirë se gjendja e tanishme”. Sepse, thotë ai, ”kjo që kemi tash është marrëzi, edhe rrezik edhe turp!” Një qytetar, frekuentues i shpesht i Parkut të Gërmisë”, në kushte anonimiteti tha se gjendja në të cilën gjendet tash e shumë vite kjo ndërtesë, e dëmton shumë këtë Gërminë dhe se shumë me mirë do të ishte të përfundohej dhe të shfrytëzohej për destinimin që e kishte. “ Është trishtim ta shikosh për çdo ditë këtë pamje me gërmadha në këtë vend kaq të bukur”.

Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gatë mandatit të tij, me rastin e një vizite të bërë në Qendrën Inovative të Kosovës, në takimin me drejtues të kësaj qendre, duke konfirmuar mbështetjen e pakursyer të Kuvendit të Kosovës për punën që bëhet në këtë qendër, pati premtuar se “Kuvendi do të bëjë çdo gjë të mundshme që nëpërmjet punës së tij legjislative, t’i jep mundësi dhe përparësi promovimeve, të cilat kanë të bëjnë me inovacionin, si një parakusht për zhvillim të hovshëm ekonomik. Në funksion të kësaj, Kadri Veseli kishte përsëritur qëndrimin e tij që “brenda këtij viti, Qendra Protokolare në Gërmi të jepet në shfrytëzim të teknologjisë informative dhe inovacionit”.

Dhe, siç u pa më lartë, asnjëri nga kryeparlamentarët e deritashëm, dhe asnjëra nga qeveritë e Kosovës, nuk arriti ta përfundojë së ndërtuari Qendrën Protokolare të Kosovës, edhe përkundër faktit se Kosova, institucionet e saj, kanë pasur mundësi reale financiare për të finalizuar pa asnjë vështirësi këtë projekt. Objekti aktual i mbetur në gjysmë të rrugës, sipas njohësve të rrethanave, edhe në rast të revidimit të projektit, nuk do të kushtonë aq shumë para, sa të përkeqësonte edhe aq gjendjen financiare të Republikës. Kosova, edhe pse është e varfër financiarisht, ka para të mjaftueshme për ta ndërtuar një këso qendreje, por edhe të një numër projektesh infrastrukturore, të domosdoshme për funksionim normal të shtetit. Udhëheqësit e deritashëm shtetëror, por edhe këta të tanishmit, u shtinë dhe vazhdojnë të shtihen sikur nuk e dijnë se krijimi i shtetit ka kërkesa, edhe të nevojshme edhe të domosdoshme. Qendra Protokollare e Kosovës është një kërkesë e tillë. Ajo i duhet Kosovës, institucioneve të saja, për të pritur shumë më denjësisht dhe në mënyrë më dinjitoze burrështetasit dhe delegacionet e shteteteve të tjera që vizitojnë Kosovën. Edhe Albin Kurti, edhe të tre ministrat e kabinetit të tij qeveritar, por edhe Glauk Konjufca, duhet të reflektojnë dhe të mos vazhdojnë t’i qesin “hije’ të keqe shtetit të tyre, duke dërguar burrshtetas dhe delegacionet gjithfarë nivelesh nëpër restorane e kafene dhe larg nën rangun dhe pozitën e mysafirit. Nuk kanë ku ta qojnë ndokund tjetër në drekë as në darkë, as ta akomodojnë në ndonjë ambient shtetëror me kondita solide. Prandaj, Kosova urgjentisht dhe pa kalkuluar shumë llogaritë financiare duhet të finalizojë këtë Qendër protokolare. Ta revidojë si është më se miri projektin tashmë të kahmotshëm dhe të mbetur në gjysmë të rrugës dhe ta finalizojë atë. Shteti i Kosovës duhet ta ketë urgjentisht Qendrën Protokollare. Pse të mbetët vetëm Kosova e veçuar, e vetme në mbarë botën pa një projekt dhe ambient të këtillë aq të domosdoshëm. /Buletini Ekonomik/