Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Frankfurt Am Main (KfW) ka përplasur pozitën dhe opozitën në Kuvendin e Kosovës.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati kjo kredi do të përdoret për përmirësimin e sistemit të transmisionit.
“Me anë të kësaj marrëveshje, Qeveria e Kosovës do të marr nga KfW hua në vlerë prej 25.5 milionë euro, shumë kjo që do të nën huazohet te KOSTT-i dhe këto mjete do të përdoren për përmirësimin e sistemit të transmisionit”, tha Murati.
“Norma e interesit do të përcaktohet pas disbursimit të kredisë, tarifa e zotimit do të jetë 0.25 për qind në vit, kurse tarifa e menaxhimit do të jetë 1 për qind nga shuma e kredisë”, ka shtuar ai.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka theksuar se Qeveria Kurti dhunshëm po ia merr paratë KOSTT-it.
“Qeveria Kurti me ministrin e tij dhunshëm ka bindur menaxhmentin e KOSTT-it që mjetet e mbetura nga buxheti i parealizuar i investimeve t’i merr dhunshëm e t’i paguaj humbjet në veri të Kosovës”, theksoi Shala gjatë seancës së Kuvendit.
Ai ka kërkuar që duhet të jepen llogari për rezolutën e miratuar lidhur me gjendjen në KOSTT.
“Para se të marrin kredi, ministri duhet të na jep llogari se sa është zbatuar rezoluta. Prandaj, jo reale të vihet që të kërkohet kredi pa na shpjeguar rezolutën e këtij Kuvendi. Për tre vitet e Qeverisë Kurti po hyn për herë të dytë në kredi. Qeveria po ia merr paratë KOSTT-it”, ka kërkuar ai.
Shala përfundoi se PDK kërkon që të shtyhet kjo marrëveshje.
“Ne nuk mund të marrim pjesë në aferat korruptive të qeverisë. E keni bastarduar dhe për këtë grupi parlamentar i PDK-së kërkon që të shtyhet kjo marrëveshje”, përfundoi ai. /Telegrafi/