- Lira u dobësua në nivele të reja rekord, pasi banka qendrore turke ngriti normën bazë të interesit.
- Guvernatorja e sapoemëruar Hafize Gaye Erkan, la të kuptohet për më shumë rritje, deri në përmirësimin e situatës së inflacionit në vend.
Lira turke ra në nivele të reja rekord, pasi banka qendrore e Turqisë rriti normën bazë të interesit të vendit, me 650 pikë bazë, një ndryshim dramatik i politikës monetare.
Banka qendrore ngriti normën bazë të interesit pothuajse dyfish, nga 8.5% në 15%, duke shënuar rritjen e parë të vendit, që nga marsi 2021. Megjithatë, kjo ishte ende nën pritshmëritë për një rritje në 21%.
Lira, e cila ka vazhduar rënien, që nga rizgjedhja e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, u tregtua për herë të fundit me 24.97 kundrejt monedhës së gjelbër.
“Lira po bie dhe me siguri do të vazhdojë të bjerë, ndërsa ata përpiqen të arrijnë rezultatin,” tha Steve Hanke, profesor i ekonomisë së zbatuar në Universitetin Johns Hopkins, duke shtuar se vendimi i bankës qendrore është “pak i vonuar”.”
Guvernatorja e sapoemëruar Hafize Gaye Erkan, la të kuptohet për më shumë rritje, deri në përmirësimin e situatës së inflacionit në vend.
“Shtrëngimi monetar do të forcohet më tej, aq sa nevojitet, dhe në mënyrë graduale, derisa të arrihet një përmirësim i ndjeshëm i perspektivës së inflacionit”, tha Erkan.
Sipas statistikave të qeverisë, norma vjetore e inflacionit në vend për muajin maj, ishte 39.59%. Tetorin e kaluar, norma e inflacionit të Turqisë u rrit në 85.51%.
Ministri turk i Financave Mehmet Simsek, tha se një politikë fiskale e parashikueshme dhe një regjim i lirë i kursit të këmbimit, do të “sigurojnë që lira turke të rifitojë stabilitetin dhe të bëhet një monedhë e besueshme”.
Megjithatë, Hanke tha se vetëm këto masa nuk do të jenë të mjaftueshme.
“Politika monetare nuk ka të bëjë me normat e interesit. Bëhet fjalë për rritjen dhe sasinë e parasë, “tha profesori, duke shtuar se oferta monetare e Turqisë “po rritet shumë shpejt”, duke pasur parasysh se si norma e rritjes nga viti në vit në ofertën e parasë, është rreth 50% në vit.
Goldman Sachs tha se rritja e normës sugjeron që, të paktën në terma afatshkurtër, banka qendrore “synon t’i përmbahet kornizës së pazakontë, të përqendruar rreth politikave makroprudenciale* dhe kufizimeve sasiore.”.
Analistët paralajmëruan, megjithatë, se përpjekjet e fokusuara në këto masa, që stabilizojnë dhe rrisin qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Turqisë, do të kufizoheshin nëse nuk do të ndiqet një politikë për ndryshimin e normave.
Rënia e lirës kishte tejkaluar më parë parashikimin tre mujor të bankës së investimeve, brenda tre ditëve. /CNBC/