Mbi 12 mijë e 500 biznese në Kosovë mbeten ende të pafiskalizuara

Arka Fiskale

Gjithsej 12 mijë e 537 mijë biznese në Kosovë janë ende të pafiskalizuara, përkundër që legjislacioni në fuqi ua kërkon të pajisen me arka fiskale.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për Administratën Tatimore të Kosovës për vititn 2022, ka konstatuar se fiskalizimi i plotë i bizneseve në vend, mbetet ende sfidë për ATK-në, përkundër përpjekjeve të tyre.

Sipas këtij raporti të ZKA-së, pjesën më të madhe prej 8,974 bizneseve pa arka fiskale, e përbënin mikro-bizneset me qarkullim vjetor deri në 5,000 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Në raport me vitin e kaluar kemi një ulje të numrit të tatim paguesve që janë pa arka fiskale (në 2021 numri i tatim paguesve që nuk kishin arka fiskale ishte 13,656)”, ceket tutje në raport.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 02/2018 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, neni 4, pika 1.1, specifikon se “të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë pajisjet elektronike fiskale (PEF) dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve”.

Ndërkaq, neni 4, pika 3, sqaron se “personi të cilit i referohet obligimi i përcaktuar me paragrafin 2 të këtij neni, dhe i cili njëkohësisht kryen edhe aktivitete që nuk janë të përjashtuara ose të liruara nga detyrimi i regjistrimit përmes arkës fiskale dhe të transferimit të të dhënave përmes terminalit te serveri i ATK-së, në kuptim të paragrafit 1 të këtij neni, do të jetë i obliguar që çdo qarkullim individual gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve të regjistrojë përmes arkës fiskale si dhe t’i transferojë të dhënat përmes terminalit në server të ATK-së”.

E sipas ATK-së, mosfunksionalizimi i plotë i bizneseve me arka fiskale është rezistenca e vazhdueshme e bizneseve për shkak të kostos së pajisjeve, mirëpo edhe problemeve tjera gjatë procesit të funksionalizimit të sistemit të ri për arka fiskale.

Mirëpo, siç thot edhe Auditor ii Përgjithshëm, mospajisja e tatimpaguesve me arka fiskale e rrit rrezikun për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë e evazionit tatimor. Gjithashtu, kjo praktikë rezulton edhe me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike.

Prandaj, ZKA i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së që të sigurojë se të gjitha bizneset të cilat i plotësojnë kriteret për fiskalizim, të pajisen me pajisjet elektronike fiskale (PEF) sipas kërkesave ligjore. /Buletini Ekonomik/