Murati: E kemi gati për votim Projektligjin e ri për Skemat Pensionale që njeh kontributet e viteve të 90-ta

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaroi se brenda muajit qershor do të miratohet Projektligji i ri për Skemat Pensionale, bazuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e kontributit të punëtorëve të larguar nga puna në vitet 1990.

Murati, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Transfere tha se janë afër finalizimit të miratimit të këtij Projektligji dhe se pret që i njëjti të hyjë në fuqi para 15 korrikut, afat ky i vendosur nga Kushtetuesja.

“Ne e kemi shqyrtuar dhe jemi drejt finalizimit të draftit. Jemi duke e shqyrtuar edhe bashkë me departamentin e pensioneve. Bëhet fjalë për implikim të lartë buxhetor. Në njërën nga mbledhjet e Qeverisë do te miratohet si projektligj dhe pastaj është çështja e kapaciteteve zbatuese”, ka thënë Murati.

Reklama e sponzorizuar

Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatë Supreme, në fund të vitit të kaluar kishte marr vendim me të cilin ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet 90-ta.

“Gjykata thekson që Gjykata referuese, bazuar në pesë (5) konteste në shqyrtim para saj dhe që ndërlidhen me të drejtën e palëve përkatëse për pension kontributpagues, ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në lidhje me Udhëzimin Administrativ të aplikueshëm dhe të kontestuar në këtë rast, sa i përket kriterit të përvojës së punës në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh para 1 janarit 1999, në rrethanat historike dhe politike të viteve të ‘90-ta, përgjatë të cilave, pjesa dërrmuese e të punësuarve, ishin larguar nga vendet e tyre të punës bazuar në ligje diskriminuese”, është thënë në vendimin e Kushtetuesës. /Telegrafi/