Çmimet e produkteve bujqësore edhe sot e dje në tregjet e kryeqytetetit kanë qenë të larta, madje thuaja të pandryshueshme me çmimet e para një muaji e më shumë. Pos vezëve, që realisht këto ditë po tregtohen me çmimin përgjysmë më të ulët se një e dy muaj më parë, çmimet e produkteve të tjera kanë mbetur të pandryshuara dhe të larta tej mase, po të kihet parasysh sezoni thuaja në kulm për disa perime.
Buletini Ekonomik
Sado që kanë mbetur edhe diku rreth 10 ditë deri sa të fillojë edhe me kalendar stina e verës, dhe sado që prag-vera gjithmonë ka qenë një sezon i favorshëm për furnizimin e familjeve kosovare me perime të stinës, edhe nga importi edhe vendore, me çmime të pranueshme dhe të arsyeshme, ende në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe në shitoret e specializuara, në marketet dhe supermarketet që tregtojnë produkte bujqësore, vazhdojnë të mbajnë çmime të shtrenjta të perimeve dhe jo rrallë edhe të pakapshme për mundësitë blerëse të kosovarëve shumicë.
Për shkak të çmimeve të larta të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe të pemëve, sipas fjalëve të tregtarëve, por edhe të prodhuesve, këto ditë, por edhe në javët dhe muajt e fundit ka shumë pak shitblerje të këtyre produkteve dhe qarkullim të parasë në tregjet tona të gjelbra.
Ndërkohë, sipas njohësve të rrethanave, si rrjedhojë e çmimeve të shtrenjta të ushqimeve në përgjithësi, por edhe të produkteve bujqësore në veçanti, tashmë familjet kosovare shpenzojnë diku mbi 30-40 për qind të buxhetit të familjeve, që është pak a shumë së paku dy-tre herë më shumë se mesatarja e një familjeje të BE-së, ku për t’u ushqyer mesatarja e shpenzimeve mujore është 13 për qind. Në këtë mënyrë, po vazhdon kushtimisht të varfërohet buxheti i familjeve kosovare, sidomos i shtresave të varfëra, por edhe të atyre të mesme.
Çmimet e produkteve bujqësore edhe sot e dje në tregjet e kryeqytetetit kanë qenë të larta, madje thuaja të pandryshueshme me çmimet e para një muaji e më shumë. Pos vezëve, që realisht këto ditë po tregtohen me çmimin përgjysmë më të ulët se një e dy muaj më herët, çmimet e produkteve të tjera kanë mbetur të pandryshuara dhe të larta tej mase, po të kihet parasysh sezoni thuaja në kulm për disa perime.
Këto ecuri çmimesh po cilësohen nga njohësit e kësaj fushe si të ç’rregullta dhe jo normale për shkakun se po ndodhin në muajin e pestë të vitit, kur rëndom lirohen produktet bujqësore në Kosovë dhe në kryeqytet, për shkak se disa perime në këtë muaj arrijnë në tregjet tona edhe nga serrat e bujqëve të vendit, ndërsa oferta e produkteve nga importi bëhet shumë më e madhe se në muajt paraprak.
Të enjten dhe të premtën (8 dhe 9 qershor 2023) në tregjet e gjelbra të Prishtinës çmimet e shumicës së produkteve bujqëore, edhe nga vendoret edhe nga ato të importit, krahasuar më dhjetë ose njëzetë ditë më parë, kanë qenë thuaja të pandryshueshme. Me çmime enorme të larta dhe jo të zakonshme për këtë stinë kanë vazhduar të tregtohen patatet dhe qepët. Një kilogram patate kudo në kryeqytet kushton edhe më tutje 1 euro e më shumë, ndërsa një kilogram qepë 1,20 deri në 1.30 euro. Me fjalë të tjera, patatja dhe qepa, dy produkte bazë në kuzhinën kosovare po tregtohen me çmime thuaja se të pakapshme për shumë kosovarë. Po kështu, trangujt, prodhim qind për qind vendor, të enjten dhe të premtën kanë kushtuar 1 euro kilogrami dhe në shtande të pakta, ndoshta blerësit i kanë hasur edhe me 80 centë për kilogram.
Me çmime të ngritura ofertohej edhe spinaqi që shitej nga 1,5 euro kilogrami. Bananet sot dhe dje kanë kushtuar në këto tregje diku rreth 1,3 euro, ndërsa mollët nga importi kanë standardizuar çmimin në këto tregje dhe kushtojnë 1,2 euro kilogrami. Karrota, po ashtu prodhim vendor, shitet nga 1 euro kilogrami, ndërsa një sallatë e gjelbër e freskët kushton 50 centë, aq sa ka kushtuar edhe gjatë sezonit të dimrit. Këto sallata, por që nuk janë të freskëta, tregtarët i ofertojnë edhe me çmimin 3 copë një euro.
Thuaja është i pandryshueshëm çmimi edhe i specave dhe domatave, krahasuar me javë më parë. Kështu, dje dhe sot, një kilogram speca të padjegës, të cilësisë nën mesatare, dje kushtonte 1-deri 1,5 euro, ndërsa ai i djegësi tregtohej me 1,5 euro kilogrami.
Tregtarët e tregjeve të gjelbra që tregtojnë domaten e importuar kryesisht nga Shqipëria me çmim thuaja të standardizuar tash e një kohë të gjatë (1 euro kilogrami), tregojnë për Buletinin Ekonomik se sot është shtuar ndjeshëm shitja e këtij produkti. Ata, rritjen e shitjes së domateve e ndërlidhin me rezultatet e mostrave të këtij produkti me origjinë nga Shqipëria që kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar për konsum.
A.S. një tregtar i vjetër, që me vite tregton domatet nga Shqipëria, ka thënë dje për Buletinin Ekonomik se pas lajmit se BE-ja ka kthyer një sasi domatesh të Shqipërisë prej tregjeve europiane për shkak të përmbajtjes së hormoneve të dëmshme për shëndetin, ka pasur rënie të shitjes së këtij produkti. Blerësit hamendësoheshin dhe kishin krijuar paragjykimet e tyre. Por, pas informacionit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se “rezultatet e mostrave të domateve me origjinë nga Shqipëria, të dërguara në një Laborator të kontraktuar në Bullgari kanë rezultuar brenda limiteve sipas rregullores se BE-së, përkatësisht se prezenca e kontaminuesve kimik është brenda normave ose limiteve, të cilat janë të lejuara për konsum dhe nuk paraqesin rrezik, blerësit e shumtë iu kanë kthyer blerjes së domates nga Shqipëria.
“Tani, pas shpalljes së rezultateve dhe heqjes së dyshimeve për prezencë të pesticideve mbi normat e lejuara, ndihem më i qetë dhe më i relaksuar kur flas me klientët e mijë të shumtë”, thotë I.S.. por, sipas tij, edhe klientët sot nuk ngurrojnë dhe bëjnë shumë më pak pyetje gjatë blerjes së domates shqiptare, që gjithnjë është imponuar me pamje cilësore të jashtme. /Buletini Ekonomik/