Paga minimale më e lartë ndihmon në rritjen rekord të pagave

Paga
Fotografi ilustruese

Pagat në Mbretërinë e Bashkuar po rriten me ritmin e tyre më të shpejtë në 20 vjet, duke përjashtuar pandeminë, pjesërisht për shkak të rritjes së pagës minimale.

Shifrat zyrtare tregojnë se pagat e rregullta, pa përfshirë bonuset, u rritën me 7.2% në tre muaj deri në prill, megjithëse ende mbetet pas kostos së jetesës.

Paga minimale – e njohur si Paga Kombëtare e Jetesës (National Living Wage) – u rrit në 10.42 paund në orë, në muajin prill, për grupmoshën mbi 23 vjeç. Ky hap u ndërmor pasi papunësia në Mbretërinë e Bashkuar ra paksa dhe numri i punëtorëve u rrit.

Reklama e sponzorizuar

Darren Morgan, drejtor i statistikave ekonomike në Zyrën për Statistikat Kombëtare (Office for National Statistics, ONS), tha: “Në terma parash, paga bazë tani po rritet me ritmin më të lartë, që kur ka filluar regjistrimi i të dhënave, përveç periudhës kur shifrat u shtrembëruan për shkak të pandemisë.

“Megjithatë, edhe kështu, rritja e pagave vazhdon të mbetet pas inflacionit.”

Andrew Hunter, bashkëthemelues i motorit të kërkimit të punës Adzuna, tha se rritja e pagës minimale kishte pasur një ndikim “të rëndësishëm”.

“Afro dy milionë punëtorë në MB, patën rritje pothuajse 10% të pagave këtë pranverë,” tha ai.

“Ajo që ne po shohim, janë disa shenja optimizmi nga punëdhënësit britanikë. Pra, ne po shohim përmirësime të pagave.”

Punëtorët në industri të shumta, kanë mbajtur greva, që nga vera e kaluar, pasi normat e pagave nuk arrijnë të mbajnë ritmin me inflacionin – norma me të cilën rriten çmimet. Por, hendeku po ngushtohet. Inflacioni ra në 8.7% në prill.

Megjithatë, Banka e Anglisë ka paralajmëruar se rritja e mprehtë e pagave, ka të ngjarë të zgjasë normat ende të larta të inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar. Për më tepër, ka frikë se bankës do t’i duhet të rrisë normat e interesit në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë sesa mendohej më parë, për të ulur normën e inflacionit.

Kjo po ndikon në tregun e hipotekave, ku huadhënësit kanë vendosur norma huamarrjeje dhe kanë bërë marrëveshje.

Zoti Hunter tha: “Punëtori mesatar do të jetë i kënaqur, që paga mesatare po rritet, por kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e mirë për inflacionin.”

Sipas ONS, numri që nuk punon për shkak të sëmundjeve afatgjata, preku një tjetër rekord të lartë.

Rreth 2.6 milionë njerëz tani nuk punojnë, për shkak të problemeve shëndetësore, tha ONS.

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar aktualisht po përpiqet të rritet, pasi kostoja në rritje e jetesës dhe rritja e normave të interesit shtrëngojnë familjet.

Megjithatë, tregu i punës mbetet elastik. Numri total i të punësuarve është rritur në nivelin më të lartë ndonjëherë, gjatë tre muajve, deri në prill. /BBC/