Partitë opozitare VV, AAK dhe Nisma kanë kërkuar që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal në Komunën e Prishtinës.
Në këtë seancë, parashihet shkarkimi i anëtarëve të komisioneve komunale të aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale të Prishtinës që ishin emëruar, zgjedhur nga Kuvendi Komunal.
Një gjë e tillë po konsiderohet nga PDK si tentim për kapje të ndërmarrjeve publike nga opozita.
Kështu është shprehur për Telegrafin, Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin e Prishtinës.
“Thirrja e seancës nga VV-AAK-Nisma në Prishtinë, ka të bëjë me tentimin e kapjes së pozitave dhe ndërmarrjeve publike nga këto parti”, ka thënë Retkoceri.
Në media u përfol që thirrja e kësaj seance ka të bëjë me një prishje të mundshme të koalicionit LDK-PDK në Prishtinës.
I pyetur se a qëndrojnë këto aludime dhe a ka mospajtime brenda koalicionit, Retkoceri u përgjigj që “asgjë s’ka të bëjë me PDK-në, kjo është e tëra që mund të them”.
PDK në këtë koalicion qeveritar erdhi pas një rezultati befasisht të mirë në zgjedhjet e 31 tetorit 2021 për asamble komunale.
Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, ose vetëm pesë më pak se LDK-ja.
Partia më e madhe në kryeqytet, megjithatë, vijoi të ishte Vetëvendosja që i ka 17 asamblistë.