Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Qeverinë për manipulime me shifrat e të punësuarve.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë se qëllimshëm ka ndërprerë publikimin e Anketës së Fuqisë Punëtore.
“Qeveria Kurti, përmes Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka kohë që ka ndërprerë publikimin e Anketës së Fuqisë Punëtore, e cila paraqet burimin kryesor të të dhënave të tregut të punës. Kjo ndërprerje skandaloze e këtij publikimi kaq të rëndësishëm ka ndodhur pa asnjë shpjegim për publikun”.
“Në vend të këtij publikimi, Qeveria Kurti filloi të improvizojë me statistikat e tregut të punës duke shfrytëzuar të dhënat e kontribuuesve pensionalë në Trust dhe të tatimpaguesve në ATK, sepse në periudhën kur jepeshin subvencione të ndryshme për punëtorët këto figura rriteshin dhe Qeveria në mënyrë manipulative i paraqiste si punësime të reja”.
Mustafa thotë se krahasuar me vitin e kaluar numri i llogarive aktive në Trust është zvogëluar për 100 mijë.