Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës pritet të ndikojë edhe sa i përket investimeve të huaja në vend.
Shpërfaqja e situatës tensionuese atje, sipas ekonomistit Visar Vokrri, mund të ketë pasojë serioze për këto investime.
“Mjafton të shohësh lajmet rreth Kosovës në mediumet kryesore nëpër botë dhe lehtësisht e kupton që nuk janë storie të suksesit, por janë ngjarjet politike si këto të fundit që dominojnë në artikujt mediatik. Investitorët kur bëjnë projeksionet e tyre investive, në vende të ndryshme përveç reacheve të ndryshme me karakter afarist ato përbendësojnë edhe riskun politik dhe fatkeqësisht ky lloj risku ka peshë të madhe në vendimmarrjen e tyre”, tha Visar Vokrri ekonomist
Për njohësin e çështjeve politike, Gazmir Racin, pamjet e fundit që janë shfaqur në veri të vendit janë të përsëritura nga e kaluara.
Andaj ajo pjesë sipas tij është vrimë e zezë për investitorët e huaj.
“Destabiliteti politik ndikon edhe në çështjen e investimeve ose thithjes së investitorëve të huaj. Kosova që një kohë të gjatë e ka problem çështjen e veriut në kuadër të investimeve të huaja sepse investitorët gjithmonë kanë shikuar se në cilin territor do të investojnë dhe a ka kushte rreth sigurisë për investim. natyrisht veriu që një kohë të gjatë ka qenë vrimë e zezë për shkak të krimit dhe kontrabandës”, tha Raci.
Ndërkohë Kosova vazhdon që të mos ketë tash e tri vjet, Ligj për investime strategjike.