Ka dy-tre ditë që tepricat e prodhuara në dy blloqe të termocentraleve Kosova A dhe në njërin bllok të termocentraleve Kosova B, kanë nisur të dërgohen në Shqipëri, hë për hë si kthim borxhi dhe pastaj si deponim-huazim për ditët e vështira elektroenergjetike, që si përherë në këto vitet e fundit pritet të ndodhin gjatë sezonit të dimrit në Kosovë.
Buletini EkonomikMegjithë kapacitetet elektroenergjetike të vendit ndjeshëm të reduktuara, qëkur kanë nisur ditët e ngrohta, KEK-u aktualisht po plotëson pa ndonjë vështirësi nevojat e konsumit të vendit me energji elektrike dhe gjatë natës ka edhe teprica, të cilat deri tash janë eksportuar. Ndërsa, ka dy-tre ditë që tepricat e prodhuara në dy blloqe të termocentraleve Kosova A dhe në njërin bllok të termocentraleve Kosova B, kanë nisur të dërgohen në Shqipëri, hë për hë si kthim borxhi dhe pastaj si deponim-huazim për ditët e vështira elektroenergjetike, që si përherë në këto vitet e fundit pritet të ndodhin gjatë sezonit të dimrit. Më konkretisht, konsumimi i “reduktuar” shumë i rrymës që nga prilli, e sidomos që nga fillimi i majit, ka bërë që megjithë tërheqjen e bllokut B1 të Kosovës B nga prodhimi për shkak të punëve remontuese të planifikuara në turbinën e kësaj njësie, të mjaftojë rryma e prodhuar në njësitë e tjera për të plotësuar nevojat e vendit. Siç kanë njoftuar sot zyrtarët e KEK-ut, aktualisht pos bllokut B1, në të cilën ka më shumë se një muaj qëkur kanë filluar riparimet e detajuara të turbinës (modernizimi i këtij stabilimenti), KEK-u gjatë muajit maj dhe qershor, përkohësisht e ka tërhequr nga prodhimi (e ka vendosë në “pushim”) edhe njërin nga blloqet e termocentraleve Kosova A (herë bllokun A3, herë A4), me kapacitet 130 megavatësh, pasi që, siç kanë vlerësuar në KEK, prodhimi i energjisë elektrike në njësitë e tjera që gjenden në operim, ka mjaftuar për të plotësuar nevojat e konsumit të Kosovës me energji elektrike. Më konkretisht, prodhimi nga blloku B2 i termocentraleve Kosova B (260 megavatë-orë) dhe nga A3-shi (130 megavatë) e A5-shi (130 megavatë) dhe dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme (në raste kur kishte erëra të mjaftueshme dhe në saje të të reshurave thuaja të vazhdueshme në këta muaj), edhe 100 megavatë-orë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës), pak a shumë është thuaja se i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumit të zvogëluar ndjeshëm karahasuar me periudhën dimërore. Sipas të dhënave të distribucionit të vendit, konsumi këtyre ditëve sillet 600-650 megavatë-orë, që është pak a shumë është i barabartë me rrymën e prodhuar këtyre ditëve në stabilimentet e angazhuara aktualisht. Gjatë natës konsumi bie ndjeshëm edhe nën këto shifra të sipërpërmendura. Në KEK, tërheqjen nga prodhimi të bllokut A4 (130 megavatë), përkundër gjendjes së mirë teknike të këtij blloku, e arsyetojnë me faktin se gjatë majit dhe qershorit konsumi i vendit nuk kishte nevojë edhe për sasinë sa prodhon njësia A4, ndërsa në anën tjetër, siç theksojnë në Korporatën Energjetike të Kosovës, në këtë kohë nuk është shumë e leverdishme për të prodhuar për eksport të rrymës, për shkak të çmimeve shumë të ulëta të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Sipas zyrtarëve, më e leverdishme ishte të tërhiqet fare A4-shi ose A3-shi nga prodhimi, se sa të prodhonin këto njësi dhe të eksportohej rrymë me kosto më të ulët se sa që kushton prodhimi i sasisë së eksportuar. Në raste të nevojave eventuale shtesë që mund të jenë fare në sasi të vogla, janë marrë masa për të siguruar këtë energji nëpërmjet huazimeve të ndryshme. Sipas një llogarie të thjeshtë po del që edhe pse jashtë prodhimit aktualisht gjenden gati gjysma e termocentraleve të KEK-ut (B1 dhe A4, ndërsa në prodhim gjenden B2 dhe A3 e A5). Situata elektroenergjetike në Kosovë, nga fillimi i majit, qëkur është rikthyer në prodhim blloku A5 i termocentraleve Kosova A, është relativisht stabile, sado që aktualisht nga termocentralet e vendit prodhohet ndjeshëm më pak rrymë se sa në sezonin e dimrit. Stabilitetin relativ elektroenergjetik në vend e bënë të mundshëm, gjithsesi, rënia e madhe e konsumit të energjisë elektrike në këtë muaj. Blloqet e Kosovës A, A3 dhe A5 kanë kapacitetin prodhues diku rreth 130 megavatë-orë, që do të thotë se sot bashkarisht i kanë dhënë sistemit elektroenergjetik të Kosovës diku rreth 260 megavatë, ndërsa njësia B2 që është në punë nga Kosova B, ka kapacitet diku rreth 260 megavatë. Dhe, bashkarisht të gjitha termocentralet e KEK-ut që aktualisht janë në punë, prodhojnë 520 megavatë. Kësaj sasie duhet shtuar edhe energjia elektrike nga impiantet e rinovueshme, që u akceptuan më lartë. Duhet theksuar se gjatë natës edhe kjo sasi ndjeshëm e reduktuar e energjisë elektrike të prodhuar në kapacitetet e disponueshme të vendit, është përtej nevojave të kosovarëve, prandaj, kushtimisht KEK-u në shumë raste, në orët e natës, është detyruar të eksportojë dhjetëra e qindra megavatë-orë me çmime të rëna përtokë. Tepricat, KEK-u është detyruar t’i eksportojë edhe për shkak se në sistemin elektroenergjetik të Shqipërisë, deri këto ditë, praktikisht, për shkak të situatës së volitshme me ujëra në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit dhe plotësimit qind për qind të nevojave nga prodhimi vetanak të konsumit shqiptar, nuk kanë pasur nevojë për energjinë elektrike nga Kosova. Ndërkohë, para 2-3 ditësh, në bazë të marrveshjes së kahershme KEK-KESH, Korporata Energjetike e Kosovës ka nisur të dërgojë një sasi të rrymës gjatë orëve të natës në Shqipëri. Tani për tani, kjo sasi e rrymës që i jepet Shqipërisë si kthim i borxhit, nuk është aq e madhe, por në ditët në vazhdim pritet të rritet kjo sasi. Siç dihet, në periudhën e muajve të vjeshtës së vonë dhe të këtij dimri, Kosova ka marrë diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike si kthim borxhi, por edhe si huazim, ose borxh i krijuar ndaj KESH-it. Më saktësisht, Kosova, pas kthimit të tërësishëm të borxhit nga sistemi elektroenergjetik shqiptar, ka huazuar nga Shqipëria diku rreth 34 mijë megavatë-orë si borxh, të cilin do të kthejë gjatë muajve të kësaj vere, kur në Kosovë rëndom pritet të ketë teprica, ndërsa në Shqipëri ka nevojë për më shumë energji elektrike edhe për shkak të turizmit veror. Me fjalë të tjera, nuk duhet harruar se në evitimin e reduktimeve gjatë këtij dimri, ose më saktësisht që nga vjeshta e vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti, pos sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-u, ndikim evident ka pasur edhe sasia e konsiderueshme e energjisë elektrike që për muaj të tërë erdhi nga Shqipëria në Kosovë, në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH ia ktheu borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar. Shqipëria, siç dihet, nga reshjet e shumta, kishte goxha teprica të energjisë elektrike, dhe kjo ia bëri të mundshme që kushtimisht ta ndihmojë efektshëm Kosovën për ta përballuar dimrin dhe për t’i ikur importit të rrymës me çmime të shtrenjta. KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH një sasi të madhe të rrymës. Dhe, këtë borxh, Shqipëria e ktheu gjatë muajve të dimrit. Thuaja për ditë Kosova mori nga Shqipëria 200-300 megavatë-orë, ose gjatë 24 orëve diku rreth 2 mijë megavatë-orë. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria iu vu në dispozicion KEDS-it, plus një sasi e vogël iu dedikua vazhdimisht Termokosit si energji termike për ngrohjen qendrore të Prishtinës. Megjithatë, siç kanë njoftuar në KEK, që nga 28 shkurti i këtij viti, Kosova nuk ka marrë më fare energji elektrike nga Shqipëria. /Buletini Ekonomik/ |