Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllur kufijtë për kamionët dhe autobusët nga Kosova

Pikëkalimet kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdar vazhdojnë të mbesin të bllokuara nga ana e Serbisë është këtë të martë.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, saktësisht Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

Rrugët janë bllokuar në territorin e Serbisë në afërsi të këtyre pikave kufitare, për shkak të protestave që janë mbajtur të hënën mbrëma nga serbët në këtë pjesë.

Reklama e sponzorizuar

Në Jarinjë dhe Merdar rruga është bllokuar për kamionët dhe autobusët, ndërsa në Bërnjak nuk është i sigurt as kalimi i veturave.

Përditësimi i të dhënave të ministrisë lidhur me gjendjen në pikëkalimet kufitare është bërë në orën 10:49.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë thirrje të hënën për të gjithë ata që kanë hyrë në territorin e Serbisë dhe po udhëtojnë drejt Kosovës që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut, ndërsa ata që nuk kanë hyrë ende në Serbi, ta shmangin rrugën përmes këtij vendi.