Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë ka hartuar një plan emergjence për gazin, i cili tashmë është nxjerrë për konsultim dhe parashikon hapat që ndërmerren dhe hallkat që përfshihen në çdo rast në një situatë krize.
Referuar relacionit nënvizohet se qëllimi i hartimit të projektvendimit “Për miratimin e planit të emergjencës për gazin natyror në Republikën e Shqipërisë”, është përcaktimi i standardeve minimale të sigurisë së furnizimit me gaz natyror në Republikën e Shqipërisë, përcaktimi i rregullave dhe kritereve për të garantuar furnizim të sigurt dhe të efektshëm me gaz natyror, në kushtet e një situate krize dhe emergjence, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve për menaxhimin e situatave të emergjencës në furnizimin me gaz të klientëve.
I ndarë në pjesë, projektvendimi përcakton se plani është detyrues për të gjithë pjesëmarrësit e tregut të gazit, teksa përshkruan masat e sigurisë së furnizimit me gaz, si përgjegjësi e sipërmarrjeve të gazit, shteteve anëtare dhe autoriteteve kompetente.
Në një kre më vete, plani përcakton tre nivele krizash atë të paralajmërimit të hershëm, alarmit dhe emergjencës.
Në këtë pikë përcaktohet roli dhe përgjegjësia e sipërmarrjeve të gazit, roli i autoriteteve kompetente, siguria që sipërmarrjeve të gazit natyror dhe klientëve të gazit industrial t’u jepet mundësia e mjaftueshme për t’u përgjigjur në çdo nivel krize.
Po kështu vendosen procedura dhe masa të hollësishme që duhen ndjekur për çdo nivel krize, duke përfshirë skemat përkatëse mbi rrjedhjet e informacionit. Përshkruhen mekanizmat e përdorur për të bashkëpunuar me shtetet e tjera anëtare për çdo nivel krize.
Për kompanitë e transmetimit dhe shpërndarjes përshkruhen përgjegjësitë që ka secila për sigurimin e furnizimit me gaz në zbatim të rregullores.
“Sipërmarrjet e gazit janë ngarkuar me sigurimin e një furnizimi me gaz për publikun e gjerë, i cili është i sigurtë, me kosto të ulët, miqësor ndaj konsumatorit, i efektshëm dhe i përputhshëm me mjedisin që të jetë e mundur.
Mbështetur në Rregulloren SoF, primarë në sigurimin e furnizimit me gaz do të jenë klientët e mbrojtur. Sipërmarrjet e gazit duhet të furnizojnë në veçanti klientët e mbrojtur, në rastin e një ndërprerjeje të pjesshme të furnizimit me gaz ose në rastin e kërkesës jashtëzakonisht të lartë për gaz, për sa kohë që është e arsyeshme në terma ekonomikë për tu furnizuar me gaz” thuhet në relacion.
Nivelet e krizave dhe mënyra sesi bëhet menaxhimi në secilën prej tyre detajohet më vete në plan ndërkohë që në kreun 5 specifikohen detyrat dhe masat për tregtarët dhe furnizuesit me gaz për të mundësuar sasi zëvendësuese me gaz, në rastet e ndërprerjes së furnizimit.
Në kreun 10 specifikohet se në planin e emergjencës është një kapitull rajonal.
Ai “përcakton masat e përgjithshme të përshtatshme dhe efektive ndërkufitare për çdo nivel krize ndërmjet shteteve anëtare të grupeve përkatëse të rrezikut.
Kur autoriteti kompetent i një shteti anëtar të grupit deklaron një nga nivelet e krizës, ai do të informojë menjëherë autoritetet kompetente të shteteve të tjera anëtare me të cilat është e lidhur drejtpërdrejtë si dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, si dhe do të japë informacion mbi nivelin e krizës së identifikuar, masat që ka zbatuar dhe/ose synon të marrë, procedurat që po ndiqen dhe kontributin e pritur të masave të marra”.
//Monitor.Al