Telekomi i pagoi me vite qiratë me çmim dyfish më të shtrenjtë se nevojat

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Kohë më parë Telekomi i Kosovës është liruar tërësisht nga qiraja mujore enorme e lartë, diku rreth 22 mijë euro, që mbi 17 vjet me radhë ka paguar për ndërtesën në rrugën e UÇK-së, ose më saktësisht të “Çafa”, në Prishtinë. Tani, në këtë lagje të kryeqytetit, Telekomi ka marrë me qira, po në këtë rrugë (te kafeneja “De Rada”) një hapësirë dukshëm më të vogël dhe dhjetëra herë me çmim më të ulët. Telekomi ka disa ditë, mbase edhe javë që më nuk afaron as në ndërtesën që e ka shfrytëzuar për disa vite me qira 15. 000 mijë euro në muaj, mu në qendër të kryeqytetit, më saktësisht në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Telekomi ka zëvendësuar këtë ndërtesë me ambiente të reja të punës që gjenden po në Sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe me qira mujore rreth 7.000 euro, ose mbi dy fish me pak se për ndërtesën e deritashme.

Buletini Ekonomik

Përpjekjet për ta stabilizuar situatën financiare në Ndërmarrjen Publike Telekomi i Kosovës po hasin në vështirësi jo të pakta, qoftë nga problemet e trashëguara dhe të krijuara nga menaxhmentet e kaluara, nga rrethanat dhe pasojat e keqmenaxhimit për një kohë të gjatë të parasë publike nga kjo ndërmarrje, por edhe nga ndryshimi i ecurive në tregun e brendshëm por edhe në tregjet ndërkombëtare të telefonisë celulare dhe e punësimit tej mase dhe përtej çdo standardi të numrit të punëtorëve.

Një problem i veçantë shumë i madh, me pasoja evidente financiare që karakterizon Telekomin e Kosovës, padyshim është qiraja në numër dhe në sasi enorme e lartë e parasë që jepen për çdo muaj për hapësirat e ambientet e marra për nevojat e kryerjes së punëve dhe shërbimeve të veprimtarisë së vet.

Reklama e sponzorizuar

Praktikisht, siç thonë disa punëtorë të kësaj ndërmarrje publike, dikur ndër më profitabilet dhe me qarkullim kolosal të parasë në të gjitha periudhat e vitit, thuaja të gjitha objektet e shfrytëzuara nga Telekomi në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës, janë të marra me qira. Dhe këto kohët e fundit, në Telekom, është duke u bërë përpjekje e madhe, një “luftë” e vërtetë për zbutjen e pasojave të dala nga qiratë enorme, për t’i liruar nga qiratë për disa objekte, të vlerësuara si fare të panevojshme, dhe për zëvendësimin e objekteve me qira jashtëzakonisht të larta me sosh më të ulëta dhe më reale për rrethanat e Kosovës. Por lirimi i ndonjë objekti të shfrytëzuar deri më tash me qira nga Telekomi,është bërë edhe në një farë mënyre, i kushtëzuar, për shkaqe të ndërrimit të pronarëve të ndërtesave dhe mosgatishmërisë së dyanshme për t’u dakorduar për çmimin.

Në këtë vazhdë, kohë më parë janë bërë disa ndryshime goxha të mëdha dhe të vrejtshme. Sipas njoftimit për Buletinin Ekonomik të një punëtori të kësaj ndërmarrjeje, që me çdo kusht e kërkon anonimitetin, kohë më parë Telekomi i Kosovës është liruar tërësisht nga qiraja mujore enorme e lartë, diku rreth 22 mijë euro, që mbi 17 vjet me radhë ka paguar për ndërtesën në rrugën e UÇK-së, ose më saktësisht të “Çafa”, në Prishtinë.

Ndërtesa e shfrytëzuar me qira nga Telekomi, siç thotë ky punëtor, ka qenë pronë e kompanisë “AgroLlapi”. Tani, për ta kompenzuar mungesën e ambienteve të punës në këtë lagje të kryeqytetit, Telekomi ka marrë me qira, po në këtë rrugë (te kafeneja “De Rada” një hapësirë dukshëm më të vogël dhe dhjetëra herë me çmim më të ulët. Për hapësirën e re, siç njoftojnë punëtorët, tani do të paguhet qiraja mujore diku rreth 4 mijë euro. Telekomi ka disa ditë, mbase edhe javë që më nuk afaron as në ndërtesën që e ka shfrytëzuar për disa vite me qira mu në qendër të kryeqytetit, më saktësisht në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Qiranë për ndërtesën në këtë shesh Telekomi për vite me radhë e ka paguar 15.000 euro në muaj. Dhe, siç përfolet, nga kjo ndërtesa Telekomi, pak a shumë, ka qenë i kushtëzuar për ta liruar atë, për shkak të ndërrimit të pronarit të ndërtesës, por edhe mosmarrëveshjes me pronarin e ri rreth çmimit për qiranë.

Sido që të jetë, tani e disa javë Telekomi ka zëvendësuar këtë ndërtesë me ambiente të reja të punës që gjenden po në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në hapësirat e ish ndërtesës së Shtëpisë së Vjetër të Mallrave. Këtu janë marrë me qira 2 kate, për të cilat do të paguhen në muaj diku rreth 7.000 euro, ose mbi dy fish me pak se për ndërtesën e deritashme. Ndërrim të ambienteve të punës Telekomi ka bërë edhe në Kodrën e Diellit, ku në ambientet e reja do të paguaj dyfish më pak qira.

Gjithsesi, Telekomi, ka shumë punë për të sjellë në binar normal çështjen e qirave dhe të shpenzime të tjera të shumta irracionale. Është, po kështu e domosdoshme të definohet dhe të sqarohet, të bëhet trasnperente se sa para i jep Telekomi Postës së Kosovës në emër të qirasë për objektet e shfrytëzuara për nevoajt e veta. Ndërsa, për të mbijetuar kjo ndërmarrje, dikur ndër më fitimprutëset, duhet të racionalizojë ndjeshëm shpenzimet në të gjithë sektorët e tjerë. Ndryshe, e ka të vështirë mbijetesën afariste. /Buletini Ekonomik/