Inflacioni, i nxitur nga çmimet e larta të gazit, dhe kushtet më të shtrënguara të financimit, po ngadalësojnë rritjen në Europën në zhvillim dhe më gjerë, raporton Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në parashikimin e fundit të Perspektivave Ekonomike Rajonale.
Prodhimi në rajonet e bankës, të cilat shtrihen në tre kontinente, tani parashikohet të rritet me 2.2% në vitin 2023, më pak se shifra prej 2.3% e parashikuar në përditësimin e shkurtit.
Rritja pritet të përshpejtohet në 3.4% në vitin 2024 (nga parashikimi prej 3.3% në shkurt), ndërsa trysnitë inflacioniste po ulen gradualisht.
Faktorët e uljes së parashikimit për vitin 2023, përfshijnë: ndikimin ekonomik të tërmeteve të shkurtit dhe shtrëngimin e pritshëm të kushteve të kreditimit më vonë gjatë këtij viti në Turqi; reformat e vonuara në Mesdheun Jugor dhe Lindor dhe efekti i rritjes së ulët në ekonomitë e zhvilluara, inflacioni i vazhdueshëm dhe kushtet më të shtrënguara të financimit në Europën Qendrore dhe në shtetet baltike.
Rritja në vitin 2022, ra në 3.3%, nga 7.2% në vitin 2021, para luftës së Rusisë në Ukrainë. Dhe një fillim i fortë në vitin 2022, pjesërisht falë rimëkëmbjes pas Covid-19, u pasua nga dy tremujorë radhazi me rritje negative në gjysmën e dytë të vitit.
Recesioni teknik është i katërti që godet rajonet e BERZH-it që nga mesi i viteve 1990, të tjerat janë ato pas krizës ekonomike aziatike dhe ruse të viteve 1997-‘98, rrëzimit financiar global të viteve 2008-‘09 dhe pandemisë Covid-19.
Megjithatë, të dhënat e vlerësimeve të hershme të rritjes tremujore të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2022, janë ende paraprake dhe mund të jenë subjekt i rishikimit.
“Ne e kemi titulluar ‘Përparimi’ raportin tonë të ri të Perspektivave Ekonomike Rajonale, tha Beata Javorcik, kryeekonomistja e BERZH-it.
“Inflacioni mund të jetë në një trajektore rënëse, por është ende dyshifror në më shumë se tre të katërtat e vendeve ku ne punojmë. Ne po shohim gjithashtu shumë prova që familjet në rajonet e BERZH-it po ndiejnë shtrëngimin, pasi u është dashur të luftojnë me dy recesione, njëri pas tjetrit”.
Inflacioni ka filluar të bjerë, pasi çmimet e energjisë janë moderuar, por në mars, ai ende ishte mesatarisht 14.3% në të gjithë rajonet e BERZH.
Rezultatet e hershme nga anketa Life in Transition, e mbajtur nga BERZH në partneritet me Bankën Botërore, tregojnë se 55% e familjeve në rajonet e BERZH, nuk mund të kursejnë, pasi jetojnë me paratë e pagës mujore, ndërsa 10% e të anketuarve raportojnë se kanë borxhe.
Shumica e familjeve kanë rezerva shumë të kufizuara; 59% e familjeve në rajonet e BERZH-it raportojnë se me kursimet, nuk janë në gjendje të mbulojnë shpenzimet e tyre bazë, për më shumë se një muaj.