Ambasada Britanike ka konfirmuar sot gjetjen e Buletinit Ekonomik se anëtarja e re e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), Mimoza Mustafa, nuk ka qenë në mesin e kandidatëve të rekomanduar nga ekspertët britanikë për këtë pozitë.
“Kandidatja Mimoza Mustafa nuk ka qenë në mesin e kandidatëve të rekomanduar nga ekspertët britanikë. Emrat e 10 kandidatëve të rekomanduar nga ekspertët britanikë mund t’i gjeni në webfaqen www.kosovoselection.org”, thuhet në përgjigjet e tyre.
Sipas Ambasadës Britanike, ndryshe nga proceset tjera të cilat zhvillohen bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik, ku kërkohet që kandidatët të arrijnë së paku 70% të pikëve, procesi për anëtarë të Bordit të Trustit është bazuar në Ligjin për Fonde Pensionale. Prandaj edhe kriteri për këtë konkurs, sipas tyre, ka qenë që kandidati/ja duhet të ketë së paku 16.5 pikë nga 30 të mundshme.
Nga Ambasada Britanike thonë tutje se projekti asistues si rrjedhojë e Memorandumit me Qeverinë, i ndihmon institucionet e Kosovës të zhvillojnë procese rekrutuese për pozita të larta, bazuar në meritë.
Sipas tyre, nëse emërimet bëhen nga lista e kandidatëve të rekomanduar, kjo është një sukses për institucionet e Kosovës, por nëse ndodhë kundërta është një dështim.
“Ashtu siç edhe parashihet në Marrvëshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, ne kemi përgatitur dhe i kemi dërguar raportin final të ekspertëve britanik: Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave. Në raport janë rekomanduar kandidatët që kanë plotësuar kushtet për pozitën e anëtarëve të bordit. Sidoqoftë vendimi mbetet tek institucionet e Kosovës për të emëruar. Nëse emërimet bëhen nga lista e kandidatëve të rekomanduar kjo është një sukses për institucionet e Kosovës. Nëse ndodhë kundërta është një dështim”, kanë shtuar nga Ambasada.
Pra, kandidatja Mimoza Mustafa është emëruar anëtare bordi në Trust, ani pse emri i saj nuk figuron fare në listën e “kandidatëve të emërueshëm” të Ambasadës Britanike.
Lista e britanikëve në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit përbëhej prej 10 kandidatëve, në mesin e të cilëve Komisioni përzgjedhës, në krye me U.D. së Guvernatorit, Bashkim Nurboja, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, do të duhej të përzgjidhte pesë prej tyre.
Mirëpo nga lista e britanikëve, Kuvendit i shkuan për votim vetëm katër prej tyre, si dhe kandidatja Mimoza Mustafa, e cila nuk është pjesë e listës në fjalë.
Përkundër kësaj, Mustafa ka marrë votat e mjaftueshme për një mandat të plotë si anëtare e Bordit në Trust.
Ajo ka qenë edhe më herët kandidate për pozitën e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës para dy vitesh, por që e njëjta nuk ishte përzgjedhur.
Në bazë të ligjit për FKPK-në, anëtarët profesionistë të Bordit të Trustit kanë për detyrë që ta udhëzojnë FKPK-në në çështjet që kanë të bëjnë me investimet e mjeteve për pensione dhe çështjet administrative të grumbullimit të kontributeve pensionale. Gjithashtu, ata duhet që të kenë edhe së paku 10 vite përvojë pune në ekpertizën e investimeve pensionale.
Pra, Bordi ka përgjegjësi ekskluzive për investimet e FKPK-së, si dhe është përgjegjës për vendimmarrjen mbi politikën e FKPK-së, pas këshillimeve paraprake me Drejtorin Menaxhues dhe stafin e FKPK-së.
Buletini Ekonomik i është drejtuar me pyetje Mimoza Mustafës rreth përvojës së saj me investimet pensionale dhe se pse nuk figuron emri i saj në listën e britanikëve, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.
Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime edhe nga Komisioni përzgjedhës, që përbëhet nga Guvernatori i Bankës Qendrore, Ministri i Financave dhe nga Auditorja e Përgjithshme, se pse është përzgjedhur si anëtare Bordi një kandidate që nuk është vlerësuar si “kandidate e emërueshme” nga britanikët për këtë pozitë, por që deri në momentin e publikimit të shkrimit, asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas aktivitetetit të saj në rrjetin social facebook, znj. Mustafa shihet të jetë e afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, përkatësisht Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin janë edhe kolegë në Universitetin Amerikan në Prishtinë. Në këtë universitet, Mustafa ligjëron lëndën e Matematikës dhe Statistikës që nga viti 2006. /Buletini Ekonomik/