AGK: Gjuhë e rrezikshme e ministrit Sveçla ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili lidhi gazetarët me “luftën hibride” të presidentit serb Vuçiq.

Për këtë, AGK thotë se e ka parë me shqetësim “një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdor gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të mediave dhe gazetarëve”.

Reklama e sponzorizuar

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq. Ministri gjithashtu akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve. Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, ka shkruar AGK.

“Luftë hibride” të Vuçiqit, Sveçla e ka cilësuar publikimin e audio-incizimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV’s, Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe protestën e paralajmëruar të veteranëve të UÇK’së, pasi s’u përfshinë në Ligjin për pagën minimale, raporton Express.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar Sveçla.