Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, javë më parë kanë shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.
Përmes Strategjisë së Energjisë 2022-2031, Kosova ka prioritetizuar zhvillimin e resurseve solare dhe të erës, ku ndër shumë prioritete që parasheh Strategjia e Energjisë është ideuar edhe ndërtimi i centralit solar FV prej 100 MW dhe ky ankand është një mundësi për të investuar në një të ardhme të ndritshme energjetike, shkruan Telegrafi.
E lidhur me këtë ka shkruar sot ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjersa bëri të ditur se deri tani janë mbi 140 kompani që kanë shprehur interesim.
“Mbi 140 kompani janë tashmë të interesuara në ankandin tonë të parë 100 MW diellor…”, shkruan ajo.
Ministrja bën të ditur se kompanitë që kanë shprehur interesim janë nga Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Izraeli, Turqia, Greqia, Spanja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipëria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Bosnja dhe Hercegovina, Zvicra, Franca, Austria, Sllovenia, Hungaria, etj.