BERZH-i dhe NLB Prishtina bëhen bashkë për kreditimin e bizneseve të vogla në Kosovë

NLB Banka Prishtinë është tashmë bankë partnere e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë. BERZH-i ka siguruar dy hua prej gjithsej 10 milionë euro për NLB Prishtina, e cila do t’i përdorë fondet për kreditim të mëtejshëm për klientët e vet biznese të vogla, duke përfshirë kompanitë e drejtuara ose në pronësi të grave.

Nga financimi i përgjithshëm, 7 milionë euro nga fondet e BERZH-it do të kanalizohen për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në mbarë Kosovën. Kjo paketë, pjesë e kornizës së BERZH-it për ndërmjetësit financiarë (siç janë bankat partnere lokale), synon të mbështesë konkurrueshmërinë e huamarrësve dhe huadhënësve njëkohësisht. NMVM-të do të arrijnë të investojnë fonde për zhvillimin e kompanive, dhe banka partnere do të zgjerojë gamën e produkteve të veta për kreditimin e bizneseve të vogla dhe portofolin e vet të NVM-ve, duke përfshirë edhe rajonet më të largëta të Kosovës.

3 milionë eurot e mbetura do të mbështesin ndërmarrësinë e grave dhe do t’u ofrohen si kredi kompanive në pronësi ose të menaxhuara nga gratë. Kjo hua është pjesë e Programit të BERZH-it Gratë në Biznes, një kombinim i kreditimit dhe shërbimeve këshillimore biznesore për gratë ndërmarrëse. Si pjesë e projektit, NLB Prishtina do të testojë dhe prezantojë produkte të reja financimi të cilat do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të përshtatshme ndaj specifikave gjinore. Veç kësaj, grave ndërmarrëse do t’iu ofrohen këshilla biznesore në kuadër të Programit të BERZH-it Këshillim për Biznesin e Vogël.

Reklama e sponzorizuar

Kjo pjesë e huasë së BERZH-it do të mbështetet nga Qeveria e Suedisë si donatore e fondeve që do të përdoren për këshillim për gratë afariste dhe për ngritjen e kapaciteteve në NLB Prishtina. Mbështetja shtesë me fonde të donatorëve do të sigurohet në formën e mbulimit të një pjese të riskut dhe do të financohet nga Fondi i Posaçëm i Aksionarëve të BERZH-it.

NLB Banka Prishtinë është anëtare e NLB Group, një grup lider bankar dhe financiar me seli dhe interes strategjik ekskluziv në Evropën Juglindore.  NLB Prishtina ka bashkëpunuar me BERZH-in në të kaluarën në kuadër të Programit për Ndërmjetësim të Tregtisë, por ky projekt është bashkëpunimi i parë në formë të kredisë.

Kreu i BERZH për Kosovën, Sergiy Maslichenko, u shpreh se: “Jemi të kënaqur që po bëhemi bashkë me NLB Prishtina për kreditimin e bizneseve të vogla. Prioriteti ynë kryesor është mbështetja e sektorit privat, i cili luan një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit. Mbështetja e NMVM-ve dhe grave ndërmarrëse të Kosovës do të thotë gjithashtu mbështetje për krijimin e vendeve të punës dhe inovacionin, sepse bizneset e vogla janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të punësimit në vend. Në shumë raste, kreditimi për bizneset e vogla mund të ketë risk më të ulët sesa parashikojnë modelet ekzistuese të bankave lokale; por ne j’u ofrojmë bankave tona partnere edhe mbulimin e një pjese të riskut, çka ua mundëson ta rrisin edhe më shumë portofolin e tyre të NVM-ve”.

Gazmend Kadriu, kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka Prishtinë, u shpreh se: “I jemi jashtëzakonisht mirënjohës BERZH për besimin dhe bashkëpunimin e tyre. Ky partneritet është shembull i përkushtimit të fortë ndaj stimulimit të rritjes ekonomike dhe promovimit të ndërmarrësisë në mbarë Kosovën. Jemi besimplotë se kjo aleancë do të sigurojë rezultate të jashtëzakonshme, duke na lejuar të fuqizojmë NVM-të, të lartësojmë gratë ndërmarrëse, si dhe të krijojmë një të ardhme më premtuese për të gjithë të përfshirët.”

Deri më sot, BERZH-i ka investuar më shumë se 600 milionë euro në Kosovë.

BERZH është bankë shumëpalëshe që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe iniciativat ndërmarrëse në 36 ekonomi në tre kontinente. Banka është në pronësi të 71 shteteve, si dhe të BE-së dhe BEI-së. Investimet e BERZH-it synojnë që ekonomitë në rajonet e mbuluara të jenë konkurruesepërfshirësetë mirë-qeverisuratë gjelbraresiliente dhe të integruara.