Bizneset në zona turistike në Shqipëri po marrin vetëm lekë, euro në rënie

Një sërë biznesesh në Shqipëri kanë nisur që të ndryshojnë çmimet e produkteve nga euro në lekë. Pas zhvlerësimit të monedhës europiane, aktivitete të ndryshme ekonomike po aplikojnë pagesat në lekun vendas, me qëllim shmangien e humbjeve.

Në këtë linjë janë dhe restorantet turistike në vend, të cilët do të kërkojnë që turistët të përdorin monedhën vendase.

Agjencitë turistike i kanë lidhur kontratë me euro një vit më parë. Ato janë të vështira që të ndryshojnë, por ne si restorante që nuk kemi kontratat të parapaguara, është e domosdoshme që për të balancuar këtë situatë sadopak, t’i kthejmë të gjitha pagesat në lekë – shprehet Kujtim Dervishi nga Shoqata e Restoranteve Turistike.

Reklama e sponzorizuar

Dervishi vijon më tej kur thotë se këtë sezon, një vakt që do të konsumohet në restorant do të kushtojë gati 15 % më shtrenjtë. Shkak janë çmimet e rritura për dy produktet kryesore.

Produktet e bulmetit dhe ato të mishit kanë pësuar dhe rritjen më të madhe. Ndaj dhe ato në final rrisin çmimin e faturës në gati 15 % më shumë gjatë këtij viti.

Por rritja e pagave nga sektori privat në fushën turistike, për shumë biznese duhet të shoqërohet dhe me vendosjen e bakshishit me detyrim, një praktikë kjo që aplikohet në shumë vende të botës. Por a jemi ne gati për një vendim të tillë?

Një kamerier që deri dje paguhej 300-400 mijë lekë, ai rrinte jo për këtë pagesë në punë, por për bakshishet që gjeneronte. Sot shumë kamerierë paguhen deri në 1000 euro pa përfshirë bakshishet që lënë klientët. Kjo praktikë do të ishte një vendim i mirë, për të stimuluar më tej shërbimin dhe pagesat e punëtorëve – sqaroi Dervishi.

Prej dy sezonesh sektori i turizmit dhe ekonomia në tërësi po vuan mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të emigrimit, një fenomen i cili krijon një sërë efektesh zinxhirë në ekonomi.