Fajtorja më e madhe është politika e shfrenuar e normave të interesit
Çmimet e qirave dhe pronave në Stamboll nuk kanë qenë ndonjëherë të ulëta. Në vitin 2015, një biznesmen nga Katari, që po vepronte si ndërmjetës për emirin e vendit, Tamim bin Hamad Al Thani, shpenzoi mbi 100 milionë dollarë për një vilë në brigjet e Bosforit, ngushtica që ndan qytetin më të madh të Turqisë midis Azisë dhe Europës.
Në fillim të këtij viti, u shit për 26 milionë dollarë një tjetër vilë, që dikur ishte shtëpia e një drejtuesi të një kulti seksual, i dënuar së fundmi me gati 900 vjet burg për një sërë krimesh, shkruan The Economist.
Megjithatë, këto ditë, edhe pronat e zakonshme të Stambollit, janë përtej mundësive të shumicës së turqve. Në dy vitet e fundit, çmimi i një metri katror pasuri të paluajtshme në qytet, është rritur me mbi 480%, sipas shoqërisë së konsulencës Endeksa.
Edhe pas përshtatjes me inflacionin, i cili arriti kulmin në 86% në bazë vjetore vjeshtën e kaluar, përpara se të ngadalësohej në vetëm 40% në maj, çmimet e banesave në Turqi u rritën në tërësi me 51% vitin e kaluar, më shumë se në çdo ekonomi tjetër të madhe, sipas një studimi nga Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare. Izraeli renditej i dyti, por vetëm me 11%.
Qiratë janë rritur në mënyrë të ngjashme. Sipas një zyrtari të lartë komunal, qiratë mesatare në Stamboll, ku jetojnë më shumë se 16 milionë njerëz, tani kanë tejkaluar të ardhurat mesatare.
Shkaqet kryesore janë ulja e pamatur e normave të interesit, të imponuara si rezultat i politikave të gabuara të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, dhe rritja e inflacionit si rezultat i kësaj.
Kombinimi i këtyre zhvillimeve i ka nxitur turqit që kanë qasje në kredi, të mbrojnë pasurinë e tyre, duke investuar në prona. Blerësit e huaj, sidomos rusët, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e çmimeve në Stamboll dhe përgjatë bregdetit mesdhetar.
Tërmetet që shkatërruan pjesë të mëdha të jugut të Turqisë në fillim të këtij viti, duke vrarë mbi 50,000 njerëz, kanë pasur gjithashtu ndikim.
Shumë prej rreth 3 milionë njerëzve që janë zhvendosur nga fatkeqësia, kanë shkuar në pjesë të tjera të vendit, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të kërkesës.
Frika nga një tërmet tjetër shkatërrues në Stamboll, i cili ndodhet në veri të një zone sizmike, ka rritur çmimet e ndërtesave më të reja dhe më të sigurta në qytet. Sipas një studimi të fundit nga Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Sociale në Universitetin Bahçesehir, rritjet më të mëdha të çmimeve, kanë qenë në lagjet shumë larg zonës sizmike.
Duket se po zmadhohet një flluskë që mund të shpërthejë në çdo çast. Edhe një kthesë e politikës monetare, që u zbatua më 22 qershor, kur Banka Qendrore e Turqisë rriti normën bazë të interesit me 6.5 pikë përqindje, mund të mos mjaftojë për të ftohur tregun e pronave.
Analistët presin që çmimet të vazhdojnë të rriten, edhe pse me një ritëm më pak të vrullshëm se më parë, për sa kohë që pritshmëritë për rritjen e inflacionit mbeten të larta.
Dhe ato vazhdojnë të jenë të larta. Rritja e normës së interesit kohët e fundit, që shumë veta mendojnë se ishte tepër e ulët për të sjellë ndonjë ndryshim, nuk arriti të lehtësonte trysninë mbi monedhën Lira: brenda një ore që nga vendimi, ajo ra me 3% kundrejt Dollarit.
Monedha tani ka humbur 18% të vlerës që nga rizgjedhja e Erdoganit më 28 maj. Kjo, së bashku me një rritje të fundit prej 34% të pagës minimale, pas një rritje prej 55% gjashtë muaj më parë, do të vazhdojnë të nxisin inflacionin.